72% e mësimdhënësve të Prishtinës janë vaksinuar

Drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Shpresa Shala bëri të ditur se në Komunën e Prishtinës deri më tani janë vaksinuar 72 % e mësimdhënësve dhe personelit mbështetës të shkollave me ç’rast ftoi të gjithë mësimdhënësit që të imunizohen kundër COVID-19 në mënyrë që mësimi të nis me prezencë fizike në shkolla.
E para e Arsimit në Prishtinë tregoi se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të nisur mësimin me 13 shtator, përfshirë edhe dezinfektimin e shkollave, pajisjen me dezinfektues e me mjete të tjera mbrojtëse.
”Deri më 1 shtator ka qenë 68 përqind me dy doza të vaksinuar, një pjesë e kanë pasur edhe vaksinën e parë, tani më jemi me 72 përqind, mirëpo për një moment ndoshta për shkak të mungesës së vaksinave përveç ata që kanë pasur termine janë vaksinuar, kurse presim që tash me ardhjen e vaksinave sigurisht që do të bëhen terminet dhe do të vazhdojë vaksinimi edhe për këtë pjesën tjetër. Po besoj që deri më 13 shtator së paku një dozë të gjithë mësimdhënësit qind për qind do ta marrin mësimdhënësit dhe stafi mbështetës i shkollave”, tha Shala.
Ajo u shpreh se të gjitha shkollat e Prishtinës kanë qenë të gatshme që mësimi të nis edhe me 1 shtator, pasi që kanë përfunduar të gjitha përgatitjet.
”Si DKA kemi bërë përgatitjet edhe për fillimin me 1 shtator, do të thotë kemi qenë të gatshëm për shkak se të gjitha kontratat të cilat kanë të bëjnë me pajisjen e shkollave qoftë me materiale higjienike, dezinfektues, materiale didaktike kanë qenë të nënshkruara me kohë. Kështu që, shkollat veç janë pajisur me të gjitha këto gjëra. Ka qenë sfidë ndoshta pranimi i stafit i cili ka përfunduar edhe ai, veç kanë dalë rezultatet e rekrutimit të mësimdhënësve, kështu që jemi gati për të filluar tani më”, shtoi Shala.
Përderisa fillimi i vitit të ri shkollor është shtyrë për shkak të numrit të lartë të rasteve me COVID-19, Shala potencoi se si komunë janë të gatshëm të punojnë me skenarët siç kanë qenë edhe në vitin e kaluar, por që preferojnë më shumë kthimin e plotë në shkolla.
Pavarësisht kësaj, Shala shtoi se efikasiteti dhe cilësia është shumë më e mirë nëse kthehen në objektet shkollore të gjithë nxënësit dhe mësimi do të mbahet si në kushte normale.
Drejtoresha e Arsimit deklaroi se do të japin maksimumin që gjatë këtij viti shkollor nxënësit të marrin njohuritë e duhura, e për këtë fton edhe prindërit, nxënësit që të kontribuojnë në respektimin e masave anti-COVID në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura./KP
 

Back to top button