88 prokurorë dhe 30 gjyqtarë angazhohen për ditën e zgjedhjeve

 

Institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se do ta mbrojnë votën e sovranit dhe për këtë deklaruan se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që dita e zgjedhjeve të shkoj mirë. Kështu u bë e ditur në një takim ndër-institucional në mes të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Komisioni i Pavarur i Medieve dhe Koalicioni i OJQ-ve, të cilët u koordinuan për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 14 shkurt.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka deklaroi se përkundër që KQZ ka barrën kryesore për organizimin e procesit zgjedhor, bashkëpunimi ndër-institucional ka qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe të reagojnë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës. Ndonëse koha për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurti është e shkurtër, Daka garantoi të gjithë qytetarët se procesi zgjedhor do organizohet sipas Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti u shpreh se pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit ky institucion ka hartuar urdhrin operativ dhe planet operacionale që të krijohet një klimë e sigurt ku të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë demokratike do kenë mundësi që ta shprehi vullnetin e tyre me votë.

Laura Pula nga Kryeprokurori i Shtetit tha se sistemi prokurorial i Kosovës është angazhuar në mbrojtjen e votës së qytetarëve. Ajo bëri të ditur se 88 prokurorë janë angazhuar që të jenë gardian të votës së sovranit. Madje, ajo paralajmëroj arrestime për të gjithë ata që tentojnë të manipulojnë apo keqpërdorin votën e qytetarëve.

Ndërsa, Fatime Dermaku koordinatore për zbatim të memorandumit nga Këshilli Gjyqësori Kosovës tha se KGJK ka angazhuar 30 gjyqtarë në nivel vendi, të cilët do jenë kujdestarë në ditën e zgjedhjeve. Ajo tha se në të gjitha rajonet e Kosovës do kenë gjyqtarë të caktuar që do t’i përgjigjen të gjitha kërkesave të Prokurorisë së Kosovës.

Ndërsa, kryesuesi i Panelit Zgjedhor dhe Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Shukri Sylejmani tha se edhe ky institucion ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’iu përgjigjur të gjitha ankesave dhe apeleve që dalin nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Back to top button