Lista Serbe i dorëzon mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Listës Serbe i kanë dorëzuar të hënën mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.
“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas nisjes së shpërndarjes së fletëqortimeve për targat.
Autoritetet kosovare e suspenduan Nenad Gjuriqin, drejtor i Policisë së veri, për shkak se ka refuzuar të lëshojë fletëqortime për serbët e Kosovës që nuk i ndërruan targat.
Dorëzimin e detyrës e kanë bërë gjatë së dielës edhe disa policë serbë në veri të Kosovës. Dorëheqja, sipas tyre, u bë për shkaqe “personale dhe morale”./21Media

Back to top button