Abdixhiku rizgjedhet kryetar i LDK-së

(Lajm i përditësuar)


Lumir Abdixhiku është zgjedhur sërish në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës me 333 vota për.

Në sallë prezentë ishin 333 delegatë, nga 335 sa gjithsej i ka LDK-ja

Abdixhiku ishte kandidati i vetëm për kryetar të LDK-së, pasi Faton Bislimit nuk iu aprovua kandidatura.


Abdixhiku thotë se Kuvendi zgjedhor i LDK-së përcakton fatin e Republikës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se zgjedhjet në këtë parti janë një festë dhe se kuvendi i sotëm zgjedhor është përcaktues i fatit të Republikës së Kosovës.

Ai para delegatëve të LDK-së akuzoi qeverisjen Kurti duke thënë se Kosova vazhdon të pranojë goditje të vazhdueshme dhe se po udhëhiqet nga popullistë.

“Polarizimi i shoqërisë ka mbytur aspiratat individuale të secilit. Një vend ku përmend më shumë 2013 dhe 2030… Projekti ynë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE është në kërkim të veprimit tonë politik. Sot përfundon gara e brendshme. Sot në zgjedhje gjejmë festë, pas festës ringrihemi”, u shpreh ai.

Dy vjet e gjysmë më parë, Abdixhiku shtoi se mori zotimin për të udhëhequr partinë.

“Duke ruajtur dhe kontribuar me plot përkushtim, grupi ynë parlamentar ka arritur të shndërrohet në zë. Ne jemi thjesht, Lidhja Demokratike e Kosovës. I gjithë angazhimi ynë u kurorëzua me zgjedhjet e brendshme. Kuvendet tona ishin masovike dhe transparente”, u shpreh ai.

Abdixhiku shtoi se gjatë kësaj kohe kanë nisur punën edhe për lidhjen me mërgatën.

“Lidhja Demokratike e Kosovës kishte fituar zgjedhjet lokale. Ky ishte lajmi i madh, po udhëhiqte me kryeqytetin, Pejën…. Nga ky proces zgjedhor, LDK po udhëheq me nëntë komuna”, u shpreh ai.

Ai para delegatëve theksoi se gjatë kësaj kohe kanë organizuar edhe takime konsultative me mediat dhe shoqërinë civile.

Back to top button