Fëmijëri në skaje të rrugëve

Qendra zvicerane për ndihmë fëmijëve, Terre Des Homme, ka thënë se një numër i madh i fëmijëve në Kosovë bëjnë punë të rënda ose të rrezikshme. Ajo tha se që nga viti 2019 janë regjistruar mbi 200 fëmijë në, siç u cilësua, situatë rruge. Në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, tha se Kosova vazhdon të përballet me mungesë të të dhënave për zbatimin e të drejtave të fëmijëve.
Dita ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, dikë e gjeti në skaj të rrugëve të Prishtinës.
Ngjyra e kuqe e semaforit, shoferët i detyron të ndalojnë ngasjen, ndërsa për dikë, është shenjë për të startuar punën.
“… Jom 10 vjeçar, dal pastroj xhama, e kom ndërpre mësimin, po dalë qitu në semafora përditë po s’po më jep kërkush…”, tha një fëmijë për RTV21.
Në rrugët e Prishtinës, një numër i fëmijëve dalin në rrugë për të pastruar xhamat e veturave, duke kryer punë të rrezikshme. Një numër tjetër madje shfrytëzohen edhe për kërkim të lëmoshës. Sipas qendrës ditore Terre Des Homme, nga 100 fëmijë, 40% e tyre, bëjnë punë të rënda ose të rrezikshme.
“Prej 2019 deri më tani kemi përmbi 200 fëmijë që i kemi targetu, të cilëve u kemi ofru shërbime të drejtpërdrejta dhe shërbime të specializuara, ndërsa, brenda vitit 80 deri në 100 fëmijë që janë fëmijë në situatë rruge dhe marrin shërbime…shërbimet që i ofrojmë në qendrën ditore, dmth është një gamë e gjerë e shërbimeve, përfshirë shërbimet si shujta ditore, shërbime higjienike, pastaj aktivitete të ndryshme psiko-sociale, shërbime psikologjik”, tha ai.
Por sipas sociologes Flaka Ymeri puna fizike e fëmijëve apo dalja për të kërkuar lëmoshë rrugëve, i mbanë ata larg shkollimit, i cili është i obliguar me ligj.
“Sigurisht që edhe politikat shtetërore në aspektin social duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim sepse numri i madh i lëmoshkërkuesve apo fëmijët qoftë në rrugë apo në një formë tjetër, është në kundërshtim më ligjin poashtu ata kanë një konventë e cila i mbronë. Aspak nuk e meriton që një fëmijë në moshë të hershme të përballet me dhunën apo një mirëqenie jo të mirë, sepse meriton të rritet shëndetshëm, në një ambient psiko-social”, tha Ymeri.
Institucionet e Kosovës ndërkaq, thonë se po punojnë në zbatimin e një Ligji për Fëmijët që do të garantonte mbrojtjen e tyre. Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, tha se Kosova vazhdon të përballet me mungesë të të dhënave për zbatimin e të drejtave të fëmijëve.
“Një ndër të arriturat më domethënëse është hartimi i raportit shtetëror për zbatimin e konventës për të drejtat e fëmijës. Veprim ky që shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e mirë politik të qeverisë së Kosovës që të marrë përsipër për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare të cilat sigurojnë realizimin e të gjitha të drejtave themelore”, tha Rexhepi.
20 nëntori është shënuar në kalendar si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”. Përcaktimi i kësaj dite ka marrë shkas nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 20 Nëntor 1989. Sipas Konventës, e cila është marrëveshja më e ratifikuar në të gjithë botën, për të drejtat e njeriut, përfshin të drejtën e jetës, të drejtën e shëndetit dhe edukimit të fëmijëve./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?