Policia: Për shkak të shiut rruga Ferizaj-Prishtinë, vende-vende e pakalueshme

Si pasojë e të reshurave të shumta të shiut dhe grumbullimit të ujit, rruga magjistrale Ferizaj-Prishtinë, nga fshati Muhovc e deri në afërsi të fshatit Babush të Ferizajt, drejtimi i Prishtinës është vështirësuar për qarkullim të automjeteve, ndërsa në disa vende është bërë e pakalueshme. Kështu ka njoftuar policia përmes një komunikate për media
“Lusim qytetarët / shoferët e automjeteve që të përdorin rrugët alternative, autostradën “Arbën Xhaferi”, apo rrugët tjera, përmes qytetit të Lipjanit dhe Shtimës, në mënyrë që ti shmangen ndonjë bllokimi të tyre, deri në lirimin e plotë të rrugës”, thuhet në apelin e policisë.
Po ashtu bëhet e ditur se policia rajonale e Ferizajt është në të dy anët e rrugës magjistrale Ferizaj-Prishtinë dhe po orienton komunikacionin.
“Për gjendjen e krijuar në këtë relacion janë njoftuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes kompania për mirëmbajtjen e rrugëve dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës të komunës së Ferizajt, ndërsa është njoftuar edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Për informata tjera, deri në lirimin e rrugës për qarkullim të automjeteve do të njoftoheni me kohë. Ndërsa, për ç’do rast lusim qytetarët të njoftoni policinë rajonale të Ferizajt në numrat kujdestarë : 192 , 0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në njoftimin e policisë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?