Vazhdon operacioni policor për tregti të ndaluar në Leposaviq

Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Mitrovicë-Veri, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe në bashkëpunim me Njësitin Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës, sot kanë vazhduar operacionin e nisur më 21 dhjetor në Leposaviq.
Operacioni policor zhvillohet nën dyshimin se janë kryer veprat penale tregti e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifat e akcizës.
Gjatë kontrollit në depon e një marketi, pronë e të dyshuarës G.T. (1968), janë gjetur dhe sekuestruar nga Dogana e Kosovës mallra ushqimore, kryesisht pije jo alkoolike dhe gjëra tjera ushqimore.
Rasti do të trajtohet në koordinim me organet e drejtësisë dhe Doganën e Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?