Isufaj: S’është çështje e Kurtit ngritja e aktakuzave

(Lajm i përditësuar)
Isufaj e pranon se ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj konfirmoi se ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiq. Ai nuk pranoi të jap detaje, me arsyetimin se nuk mund të bëhet publike për shkak të hetimeve. Megjithatë, Isufaj theksoi se urdhërarresti është tërhequr për një kohë, por më pas i është rikthyer.
Në konferencë për media ku prezantoi të dhënat e këtij viti, Isufaj deklaroi se me kërkesë të Prokurorisë Speciale është bërë urdhërarresti për Milan Radoiçiqin.
“Sa i përket udhërarrestit ndaj Radoiçiqit, ai është komplet çështje e brendshme e Prokurorisë, të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin për rastet që ne i trajtojmë. Ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, tha ai.
Isufaj: S’është çështje e Kurtit ngritja e aktakuzave
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se nuk është çështje e kryeministrit se kur ngritën aktakuzat e kur pushojnë hetimet.
Isufaj të premten mbajti konferencën e fundvitit, ku u pyet për komentet e Kurtit, i cili ka deklaruar se sistemi i drejtësisë përkundër informatave dhe fakteve s’ka ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin terroristë në Banjskë. Në sulmin paramilimtar serb në Banjskë më 24 shtator, mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave. Është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet, kur kemi prova. Nuk mund të na tregojë kurrkush kur duhet të ngrisim aktakuzë e kur duhet të pushojmë hetimet”, ka thënë Isufaj.
Blerim Isufaj është i nominuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit, por deri tash ka pasur përplasje të vazhdueshme me liderët shtetërorë. Presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar dekretimin e tij.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?