2 mijë e 500 pacientë në listën e pritjes në Radiologji

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientët po përballen me lista të gjata të pritjes. Vetëm në kliniken e kardiologjisë, një pacient është duke pritur që katër vjet për trajtim. Ndërsa në Klinikën e Radiologjisë thonë se lista e pritjes është deri në maj të këtij viti, ku përfshin 2500 pacientë.
Një qytetarë thotë se, bashkëshortja e tij ka katër vjet që po pret për të bërë një intervenim në zemër.
“Domethënë grun prej zemrës e kam të smut që katër vjet, që po vi qetu, nëpër mjek domethënë, sot erdha në mëngjes prej Gjakovës, edhe prap më ka met qetu ..tash këta më thane është e refuzume..që katër vjet, qeshtu nëpër mjek, vitin e kalum qashtu jam kanë, sivjet apet domethënë që 4 vjet…’’, tha Astrit Qarra për RTV21.
“Këta na kanë lanë sot prej 7 e gjysmë, deri tash nuk ka ardh doktori, domethënë qe e ka pranu pacientin, me u konsultu me ne, as me bisedu me ne e as me marr vendime, dhe as qe i ka interesu se kush jemi, dhe ka thanë që nuk ka vend, dhe egziston mundësia se duhet me prit në shpi deri sa të lirohet një vend”, tha një qytetar tjetër.
Nga Klinika Kardiologjisë askush nuk deshi të prononcohet për televizionin tonë, për listën e gjatë të pritjes së pacientëve.
Ndërkaq drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkendije Nuza për RTV21 tha se rreth 2500 pacientë në këtë klinikë janë në listën e pritjes.
“Listë të pritjes më së shumti ka në rezonancë magnetike tek rastet ambullantore, rastet e ftofta ambullantore… në klinikën e radiologjisë çdo ditë kërkesat për rezonance magnetike prej 40 deri ne 50 raste të reja vijnë në kërkesë, edhe ne punojmë me 2 ndërrime prej 7 deri ne 7, pra punojmë me kapacitet të plotë, por kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdhaja, dhe numri i kërkesave është shumë i gjatë… për raportin final qe e kemi ba javën e kaluar i kemi dikun rreth 2500 paciente, që janë në listën e pritjes, dhe lista e pritjes është deri në 2, 3 maj 2024”, tha Nuza.
Në Klinikën e Radiologjisë, vitin e kaluar kërkuan shërbime mbi 150 mijë pacientë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?