Nis subvencionimi i rrymës për grupin e parë

Ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cenueshme, kështu ka njoftuar Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Në një postim në Facebook, Murati ka bërë të ditur se janë 40 mijë e 620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, e të cilat do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike.

“Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit. Subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cenueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai ka theksuar se Komisioni zbatues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet e familjeve që kanë aplikuar online. Gjithashtu, ka thënë se me automatizëm janë shqyrtuar sipas kritereve të njëjta edhe familjet që në të kaluarën kanë përfituar nga skema e vjetër mbështetëse, meqenëse të dhënat e tyre i kemi pasur në databazë.

Gjithashtu ai ka treguar se kanë qenë edhe rreth 10 mijë aplikacione që nuk kanë përmbushur kriterin e të ardhurave për t’u konsideruar si familje e cenueshme dhe të cilat kanë pasur të ardhura që kanë tejkaluar nivelin mesatar prej 150 euro në muaj për anëtar./21Media

Show More
Back to top button