Mbyllet protesta e opozitës, Berisha flet nga ekrani 

(Lajm i përditësuar)


Mbyllet protesta e opozitës, Berisha flet nga ekrani 

Është mbyllur pas më shumë se dy orësh protesta e opozitës para kryeministrisë.

Protesta e cila nisi prej orës 17:30, zgjati deri në orën 20:00 të mbrëmjes, ku në shesh mbajtën fjalën disa nga zyrtarët më të lartë të Rithemelimit, ndërsa këtij tubimi ju bashkua edhe Gazment Bardhi.

Por ajo që e bëri më të veçantë këtë protestë është se për herë të parë aty nuk ndodhej fizikisht ish-kryeministri Sali Berisha, pasi prej 30 dhjetorit të viti 2023 ndaj tij GJKKO ka dhënë masën arrest shtëpie.

Megjithatë ish-kreu i qeverisë e mbajti fjalën e tij përmes ekranit, ku falenderoi pjesëmarrësit, si dhe i dhe e cilësoi këtë protestë si fundin e regjimit.

Por ndryshe nga herët e kaluara, kur zyrtarët më të lartë të PL-së sot dhe ish-LSI-së dje, ishin krah për krah demokratëve herë me Ilir Metën, herë me Monika Kryemadhin e herë me Petrit Vasilin, mbrëmjen e sotme u përfaqësuan nga Erisa Xhixho.

Një protestë e cila pati vetëm disa incidente të vogla, ku pas fjalës së Berishës disa nga protestuesit hodhën bomba molotov dhe kapsolla në drejtim të policisë.


 

Tensione në protestën e opozitës në Shqipëri, hidhen shishe molotovi drejt Kryeministrisë

Protestuesit në Shqipëri kanë përdorur shishe molotovi, kapsolle dhe shashka gjatë protestës së opozitës që po mbahet para Kryeministrisë në Tiranë.

Disa nga protestuesit kanë hedhur lëndët e rrezikshme në drejtim të godinës, ndërsa policia qëndron në kordon.

Madje protestuesit kanë goditur kordonin ndarës mes policisë dhe qytetarëve, duke e rrëzuar në tokë dhe i janë afruar kordonit.


Protesta e opozitës, Berisha: Qytetarët janë uragani i vërtetë, ne do të fitojmë

Për herë të parë ish-kryeminsitri Sali Berisha nuk ishte prezent fizikisht në një protestë të opozitës së drejtuar prej tij.

Edhe pse jo i pranishëm fizikisht në protestën e së martës përballë kryeminsitrisë nuk ka munguar fjala e tij përpara qytetarëve, e cila erdhi përmes teknologjisë.

Në fjalën e tij drejtuar protestuesve Berisha theksoi se sot qytetarët njësoj si 33 vite më parë protestojnë kundër regjimit.

Uragani juaj sonte është urgani i lirisë. Përshëndetjet më të përzemërta për ju që keni mbushur Tiranën nga e gjithë Shqipëria, europës dhe botës. Fitimtarë, fitimtarë, fitimtarë. 20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e tyre. Çdo vit më 20 shkurt kemi nderuar një ditë e cila ndau historinë tonë, ndau epokën e barbarisë luftës, klasave, tiranësisë dhe izolimit ekstrem nga epoka e triumfut dhe ndëshkimit mabrëpopullor pas vdekjes së Enver Hoxhës. Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur dhe coptuar në rrugët e kryeqytetit, Nderim për jetë heronjve të 20 shkurtit. Sot për të parën herë në këto 33 vite ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991, sepse në dalim nga atëherë sot ne nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën makrsiste-leniniste në luftën e njeriut kundër njeriut, por përballemi me një lloj të ri diktature”, tha Berisha.

 


Nis protesta e thirrur nga Berisha në Tiranë

Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe përfaqësues të tjerë të lartë të rithemelimit janë nisur nga selia blu sëbashku me sipmatizantët e grumbulluar aty prej më shumë se 1 orë, për t’iu drejtuar kryeministrisë.

Ndërkohë që në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” prej një ore ka nisur grumbullimi i qytetarëve, të cilët i janë bashkuar thirrjes së ish-kryeminsitrit Sali Berisha për protestë.

Në këtë protestë pritet të mbajnë fjalën e tyre përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë, zyrtarë të lartë të PD, si dhe ish-kryeminsitri Sali Berisha.

Pritet që Berisha të mbajë fjalën e tij përmes teknologjisë, pasi prej 30 dhjetorit të vitit 2023 ai ndodhet në masën arrest shtëpie.

Ndërkohë në terren janë dhe 1 mijë forca policia për mbarëvajtjen e protestës.

Është paralajmëruar që kjo protestë do të jetë e qetë. /Vizionplus.tv/

Back to top button