Asociacioni (s)’bëhet pa u nënshkruar marrëveshja!

Përfaqësues të partisë në pushtet kanë ritheksuar se nuk do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese një draft statut të Asociacionit nëse nuk ka garanca për zbatim të marrëveshjes bazë. Por opozita dhe ish-kryenegociatorë në procesin e dialogut thonë se qeveria me refuzimin e saj për të dërguar draftin e Asociacionit në kushtetuese po bie në kundërshtim me pranimin që i ka bërë marrëveshjes së Ohrit.

Me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar për të lëvizur drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë një hap por ka refuzuar që ta dërgojë në kushtetuese draftin e BE-së.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se Kosova nuk do ta dërgojë asnjë draft në Kushtetuese, derisa s’ ka garanci që të zbatohet marrëveshja bazë. Deputeti i Vetëvendosje, Adnan Rrustemi në emisionin Click të RTV21 tha se qeveria është e gatshme ta hartojë vetë një draft.

“Draft statusi i asociacionit është kusht politik i orëve të fundit. Kosova është e gatshme për t’i përmbushur detyrimet e marrëveshjes bazë të Brukselit, por kërkohet një plan i qartë i sekuencimit që garanton përmbushjen e secilës pikë. Kosova është e gatshme për ta hartuar. Kosova nuk dërgon asnjë draft për sa kohë nuk ka garancione që përmbushet dhe zbatohet marrëveshja bazë e Brukselit, që Serbia e njeh defacto në këtë fazë pavarësinë e Kosovës që njeh simbolet zyrtare dhe dokumentet e Kosovës, që respekton dokumentet që parasheh marrëveshja që vendos misionet e përhershme diplomatike që nuk e pengon anatrësimin e Kosovës në nivel ndërkombëtar”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë se me marrëveshjen e Ohrit qeveria e ka pranuar Asociacionin dhe shton se është vonuar me gatishmërinë e saj për hartimin e një drafti.

“E dimë që Serbia gjithmonë s’ju ka përmbajt asaj marrëveshjeje por kryeministri Kurti u dashtë më shumë të punoj për këtë marrëveshje dhe duhet te dalë të tregojë se ka pranuar asociacionin ..nëse i referohemi marrëveshjes së Ohrit kjo qeveri ka pranuar një asociacion një Zajednicë që është ndër marrëveshjet më të kqia. Jemi në vit zgjedhor dhe kjo qeveri po mundohet t’i mashtrojë qytetarët si në vitin 2020 sepse ai ka pranuar asociacionin”, thotë Krasniqi për rtv21.

Ish-kryenegociatori në procesin e dialogut në Qeverinë Haradinaj, Avni Arifi, ndërkaq thotë se qeveria më refuzimin e saj për të dërguar draftin e Asociacionit në kushtetuese po bie në kundërshtim me pranimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Ky qëndrim është bukur i ri dhe është në kundërshtim me aprovimin që i ka dhënë qeveria marrëveshjes së Ohrit…me marrëveshjen e Ohrit argumentet për këtë qëndrim pothuajse nuk ekzistojnë. Draftin është dashur ta bëjë qeveria ekspertët… është shumë e vështirë, duhet kreativitet i madh që ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që t’ia kthejë këtë të drejtë Kosovës ta bëjë draftin është vendim shumë i vështirë që të procedohet me këtë draft të Lajçakut”,thotë ai.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se draftin e BE-së të shkëputur nga marrëveshja bazë në Bruksel nuk do ta procedojë në Gjykatë Kushtetuese duke kërkuar nga BE-ja që atë draft ta dërgojë vetë në Komisionin e Venecias për vlerësim./RTV21/21Media

Back to top button