Kaloni te përmbajtja kryesore

Aktakuzë ndaj dy të dyshuarve që therën disa herë me thikë një person në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve H.Z., dhe R.Z., për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja” e mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në njoftimin për media, thuhet se rasti ka ndodhur më 10 maj të këtij viti rreth orës 18:51min në rrugën “Tranisiti i Ri” në lagjen Arbana të Prizrenit, saktësisht në një auto servis, me dashje fillojnë kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit J.B., të cilën nuk e përfundojnë, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me servisimin e një veture që kishte ndodhur një ditë më parë, në mes të pandehurit H.Z., dhe të dëmtuarit J.B., derisa i njëjti ishte duke punuar në brendësinë e një automjeti në punëtorinë e tij, për një moment paraqiten të pandehurit H.Z., dhe R.Z., të cilët pa ndërruar asnjë fjalë derisa i dëmtuari ndodhej brenda veturës dhe në pozicion të pa mbrojtur, të pandehurit nxjerrin thikat dhe me të njëjtat e godasin disa herë të dëmtuarin, në pjesën e qafës dhe në regjionin e veshit të majtë derisa e vërejnë dëshmitarin Sh.B., i cili hyn në mes për të penguar sulmin e mëtejmë.  I dëmtuari si rezultat i plagëve të marra me mjet të mprehtë, në pjesë vitale të trupit, përfundon në Spitalin Rajonal të Prizrenit “Prim.Dr.DautMustafa”, me lëndime të përshkruara sikurse në Akt ekspertimin mjeko-ligjor. Ndërkaq, të pandehurit me veturën e tyre të markës “Mercedes Benz 220C”, pas kryerjes së krimit largohen nga vendi i ngjarjes dhe deri më datë 11.05.2024 bëhen të pa arritshëm për organet e ndjekjes.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button