Anëtarësimi në BE, Kadiu: Ka ardhur momenti që të ketë lëvizje konkrete në lidhje me aplikimin tonë

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha për RTV21 se ka ardhur momenti që të ketë lëvizje konkrete në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtaresim në BE.
Ai tutje ka shtuar se si Qeveri, po qëndrojnë në gatishmëri të plotë për bashkëpunim të ngushtë me Presidencën Hungareze të Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.
‘’Si Qeveri, qëndrojmë në gatishmëri të plotë për bashkëpunim të ngushtë me Presidencën Hungareze të Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Edhe në vizitën e zhvilluar në muajin maj në Budapest, edhe në takimet me përfaqësues zyrtarë nga Hungaria, kemi ripërsëritur objektivin tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe argumentuar nevojën për hapa tutje në këtë drejtim. Ka ardhur momenti që të ketë lëvizje konkrete në lidhje me aplikimin tonë. Rreth skenareve për kushtëzimin e aplikimit me normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në këtë rast do të kishim të bënim me standarde të dyfishta karshi proceseve përkatëse të dy vendeve. Teksa Serbia përgjatë viteve ka avancuar në procesin e integrimit evropian e ka hapur kapituj të ndryshëm, rrugëtimi i Kosovës ka mbetur në status quo. Për më tepër, Kosova nuk mund të penalizohet nga bllokadat që Serbia qëllimshëm po ia bën procesit të dialogut duke refuzuar Marrëveshjen Bazike e Aneksin e Ohrit dhe anashkaluar një sërë marrëveshjesh të tjera’’, tha Kadiu për RTV21.
Kadiu tutje ka përmendur se procesi i rrugëtimit drejt integrimit evropian duhet të vlerësohet në baza meritokracie andaj dhe Kosovës duhet t’i jepet mundësia që të vlerësohet mbi progresin e saj, e kjo mund të ndodhë përmes marrjes së pyetësorit. Institucionet tona mbeten të gatshme për ta pranuar atë dhe përgjigjur në një kohë të shkurtër, ‘’e ku hapi i natyrshëm pasues pas vlerësimit do të ishte marrja e statusit të vendit kandidat’’.
Për RTV21 Kadiu ka thënë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE në dhjetor 2022 ka qenë hapi i radhës i nevojshëm për të avancuar tutje në këtë proces
‘’Tashmë kur janë bërë tetë vite që nga hyrja në fuqi e MSA-së, Kosova ka përshkuar një kohë relativisht të gjatë të zbatimit të reformave e përafrimit me standardet e BE-së’’, tha Kadiu./RTV21/21Media