Osmani: Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe te arkivoli i të ndjerit, Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të Lamtumirës që u mbajt në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Osmani ka shkruar se për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor.

“Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la. Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare”, ka shkruar Osmani./21Media

Back to top button