Ligji i ri për KPM-në, OSBE-ja e shqetësuar me disa aspekte

Pas miratimit të sotëm të ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Kuvendi i Kosovës ka reaguar Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.
Në reagim, OSBE-ja thotë se KPM-ja ka rol kyç në kuadrin rregullativ të mediave të Kosovës.
“Aftësia për operim të pavarur dhe profesional ka qenë çelës i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Për këtë qëllim, ekspertët ndërkombëtarë të së drejtës së medias, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, kanë paraqitur rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, ka thënë misioni i OSBE-së në Kosovë.
Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh, OSBE-ja thotë se kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.
Po ashtu, thuhet se nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore.
OSBE thotë se ndonëse e mirëpret miratimin e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e medias, “konsiderojmë se, ashtu siç janë hartuar tani, u mungon qëndrueshmëria procedurale”.
Misioni i OSBE-së thotë se vazhdon të mbështesë me përkushtim Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj me standardet më të larta ndërkombëtare.