Strukturat e reja të BE-së dhe ringjallja e dialogut!

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet ta ketë një dinamikë të re pas zgjedhjes së strukturave të reja udhëheqëse të BE-së vlerësojnë analistët politik. Përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje presin që me përfundimin e mandatit të Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dialogu do të marrë një kahe tjetër në favor të Kosovës. Ndërsa, partitë opozitare kritikojnë Qeverisë se ka hequr dorë nga marrëveshje reciproke.

Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, udhëheqësit e dialogut Kosovë-Serbi pritet ta përfundojnë mandatin së shpejti.

Borrell pas pesë vjetësh do të zëvendësohet nga ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ndërsa në detyrën e Lajçak ende nuk ka një qartësi, sado që është përmendur emri i ish-presidentit slloven, Borut Pahor, si kandidat i mundshëm. Por, çfarë pritet të ndodh me planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, vlerëson se dialogu është bllokuar dhe plani franko-gjerman po shkon drejtë dështimit.

“Plani franko-gjerman po dështon sepse Kurti i cili e ka pranuar një planë të tillë tash është duke bërë përpjekje që ta luftojë në çdo formë. Dhe Serbia e cila parimisht nuk do kurrfarë marrëveshje me Kosovën, normalizim të kurrfarë raporteve po dëshiron që përmes planit franko-gjerman dhe dështimit të tij ta bllokon edhe përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës. Borrell në takimin që ka mbajtur me Kurtin dhe Vuciqin ju ka thënë palëve se marrëveshjet e arritura edhe më tutje vazhdojnë të mbesin në fuqi. Për mua është një fazë e kolapsit të dialogut. Është një dështim i procesit negociator dhe pres zë zonja Kallas të sjellë dinamik dhe qasje të re”, tha Hoxhaj.

Për anëtarin e Komisionit për Punë të Jashtme deputetin e VV-së, Gazmend Gjyshinca, ardhja e strukturave të reja në Bashkimin e Evropian në vend të Borrellit dhe Lajçakut do ta ringjall procesin e dialogut Kosovë Serbi. Sipas tij, dështimi apo jo planit franko-gjerman varët nga Bashkimi Evropian.

“Zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian kanë prodhuar një arkitekturë të rena në Bashkimin Evropian. Në pozitat kyçe kemi një panoramë jashtëzakonisht pozitive për shtetin dhe integritetin e Kosovës. Në presim një qasje më kontruktive ndaj Kosovës dhe dinamika të reja brenda dialogut. Dështimi apo jo i planit franko-gjerman mbetet në duart e ndërmjetësuesve”, tha Gjyshinca për rtv21.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kritikuar krerët e shtetit për mungesë strategjie në politikën e jashtme.

“Është mirë që presidentja merr pjesë në Samitin e NATO-së ,por një gjë duhet ta dinë qytetarët se as Vjosës, as Albinit, as Donikës nuk i beson askush në arenën ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.

Por, si e vlerësojnë përfaqësuesit e partisë në pushtet Vetëvendosje akuzat e opozitës dhe Brukselit zyrtar se pala kosovare dhe ajo serbe nuk ka gatishmëri për zbatimin e plotë të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

“Unë besoj se është pyetje që duhet ti drejtohet BE-së që ti qartësoj këto ndryshime. Institucionet e Kosovës gjithmonë kanë qenë pro ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës, shtrirjes së ligjshmërisë”, tha Gjyshinca.

Analisti politik, Visar Xani, vlerëson se Bashkimi Evropian duhet ta hartojë një strategji të re ne proces të dialogut e cila, siç tha, duhet t’i kushtëzoj palët si Kosovën ashtu edhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve.

“Prandaj nuk konsideroj që do të vazhdohet me strategji të njëjtë për shkak se u dëshmua se ishte e dështuar. Nëse duam rezultate duhet një strategji konkrete që i detyrojnë palët për zbatimin e obligimeve. Nëse do të jetë strategjia e njëjtë përsëri do të ketë dështime edhe në fazat e reja të dialogut”, tha Xani.

Kosova dhe Serbia më datën 18 të këtij muaji do të dërgojnë komentet e tyre në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve./RTV21/21Media

Back to top button