Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Zvicrës, për nder të shënimit të Ditës Kombëtare.
Teksa e quajti një aleat kyç shtetin e Zvicrës, fjalën e tij i Kurti e filloi duke falënderuar Zvicrën për përkrahjen e palëkundur ndaj Kosovës përgjatë viteve e miqësinë mes shteteve tona, si dhe theksoi veçanërisht strehimin e refugjatëve atje gjatë luftës së fundit dhe gjenocidit ndaj vendit tonë.
“Me kalimin e kohës, lidhjet tona janë intensifikuar dhe janë zgjeruar. Ne kemi bashkëpunuar në fushën e sigurisë dhe jemi mirënjohës për vendosjen e misionit Swisscoy, e cila ka rritur sigurinë e vendit tonë. Agjencia Zvicerane për Zhvillim ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në bujqësi, ndër shumë bashkëpunime të tjera.” u shpreh kryeministri.
Më tej, ai përmendi dhe mbajtjen e takimit të parë të grupeve parlamentare të miqësisë Kosovë-Zvicër si dhe vlerësoi mbështetjen e Zvicrës në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti Këshillit të Evropës, por edhe shkëmbimet tregtare dhe përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në EFTA dhe rritjen e eksporteve me Zvicrën me rreth 26% në pesë vitet e fundit.