Kaloni te përmbajtja kryesore

AUV: Therja e kurbaneve të bëhet vetëm në thertore të licencura

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka bërë thirrje për respektim të rregullave ligjore dhe sanitare me rastin e festës së Kurban Bajramit, e cila këtë vit shënohet më 27 maj 2026.

Përmes një njoftimi publik, AUV ka bërë të ditur se therja e kurbaneve lejohet vetëm në thertoret e aprovuara nga institucioni kompetent, ndërsa lista e tyre është publikuar në faqen zyrtare të agjencisë.

Në njoftim, thuhet se qëllimi i këtij vendimi është ruajtja e shëndetit publik dhe garantimi i sigurisë ushqimore për qytetarët.

“Therja jashtë objekteve të destinuara për therje përbën shkelje ligjore dhe mund të rrezikojë shëndetin e përgjithshëm publik”, thuhet në njoftim.

Tutje, agjencia ka paralajmëruar se lëvizja e kafshëve pa dokumentacion përkatës, shitblerja apo therja në vende publike nuk do të tolerohen dhe se mekanizmat shtetërorë do të ndërmarrin veprime ndaj shkelësve.

AUV thekson se thertoret e licencuara janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme të autoriteteve shtetërore dhe plotësojnë kushtet teknike, sanitare dhe higjienike, përfshirë posedimin e frigoriferëve dhe kontrollin veterinar.

“Secila kafshë i nënshtrohet kontrollit para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes nga veterinari zyrtar”, thuhet më tej në komunikatë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë uruar qytetarët për festën e Kurban Bajramit, duke bërë thirrje që festa të kremtohet në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button