Mbyllja e degëve të postës në veri, që nxiti reagimet e Ambasadës së SHBA-së dhe BE-së

Policia e Kosovës i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës, i tha RTV21 zëvendës drejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani. Aksioni i Policisë nisi të hënën pas njoftimeve se operatorë ekonomikë po operojnë në mënyrë të paligjshme.

Në përfundim të aksionit të policisë së Kosovës, që nisi gjatë ditës, u mbyllen tri objekte në Mitrovicën e Veriut dhe tri të tjera në Leposaviq, ndërkohë që në Zveçan u mbyllën dy dhe në Zubin Potok një tjetër. Aksioni nisi pas njoftimit të pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.

Bëhet me dije se Policia e Kosovës bllokoi objektet fillimisht dhe kontrolloi dokumentet në zyra të cilat pastaj i ka mbyllur. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se ka bërë me dije “institucionet e Kosovës se Posta e Serbisë po operon në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës.

Zyrtarë serbë ndërkohë e cilësuan aksionin e Policisë së Kosovës si një “vazhdim të planit për spastrim etnik të veriut”.

Lista Serbe tha se heqja e shërbimeve postare pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka konsideruar aksionin e Policisë së Kosovës si “kundërligjor” dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po “provokon drejtpërdrejt një konflikt të armatosur”. Sipas tij, aksioni policor është kryer “jashtë të gjitha marrëveshjeve” të arritura midis Kosovës dhe Serbisë dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë.

Ky veprim ngriti në këmbë Ambasadën e Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Të dyja, këtë hap të autoriteteve të Kosovës, e konsideruan të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Ishte e para BE që e vlerësoi se ky veprim shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

BE i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut me Serbinë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndau deklaratën e plotë në “X” duke komentuar se “veprime të tilla nuk mund të ofrojnë zgjidhje për asnjë çështje që i përket Dialogut”.

“Si pjesë e Marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet e arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord në 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare “në një fazë të mëvonshme”, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kornizës së Dialogut. Këtë e ka pranuar sërish sot Autoriteti Rregullativ i Shërbimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës. BE-ja është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut. BE pret që palët të zhvillojnë ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti. I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Reagim i menjëhershëm erdhi edhe nga Ambasada e Amerikës në Kosovë është deklaruar kundër mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës. Ambasada e SHBA thotë se ky “veprim i njënashëm dhe i pakoordinuar vë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it”.

Andaj, SHBA i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të “ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet. Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit./21Media

Back to top button