Ka nisur furnizimi me tekste shkollore, mungojnë disa prej tyre

Ka nisur furnizimi me tekste mësimore për nxënësit e shkollave fillore kudo në Kosovë. Prindërit të cilët u panë nëpër pika shitëse folën për mungesë të disa teksteve shkollore. Ndërkohë shitësit thanë se disa shtëpi botuese nuk kanë arritur të prodhojnë mjaftueshëm tekste. Ministria e arsimit ndërkohë i tha RTV21 se ka kërkuar nga shtëpitë botuese të jenë bashkëpunuese me libraritë dhe të mos krijojnë vonesa në furnizim. Këshilli i prindërve pret që procesi mësimor të nisë me kohë.
Krahun e mbushi me librat e nevojshëm për fëmijën e tij në klasën e tetë. Pasi bëri pagesën prindi Amir Tusuni thotë se disa libra të caktuar mungojnë. Tusuni bëri të ditur se përkundër që siç tha subvencionimi i bë me rregull, i njëjti tha se nuk e dinë se sa do të kushtojnë librat.
“Librat i morra ka mungesë të disa teksteve shkollore, subvencionimi ishte i mjaftueshëm vetëm për libra për pjesën tjetër fletoret gjërat jo. Ndërsa nuk e di edhe sa do të kushtojnë librat që mungojnë”, tha Tusuni për rtv21.
Mungesa të një numri të teksteve shkollore u vërejt edhe për nxënës të klasave të tjera. Ndërkohë ministria e arsimit tha se deri më tani për subvencionim kanë aplikuar mbi 165 mijë prindër dhe kujdestar. Ministria bëri të ditur se ka kërkuar nga shtëpitë botuese të jenë bashkëpunuese me libraritë dhe të mos ketë mungesë në furnizim
“Në takimin që kemi pasur me shtëpitë botuese, para lansimit të aplikimit për tekste dhe mjete shkollore, kemi kërkuar që të jenë bashkëpunuese me libraritë në mënyrë që të kemi distribuim sa më të shpejtë në të gjitha libraritë dhe pikat e shitjes“, tha MASHTI për rtv21.
Ministria nuk e ka bërë të ditur se kur do të bëhet furnizimi i plotë me tekste shkollore. Në këtë rrafsh Këshilli i Prindërve edhe pse e kishte kritikuar një furnizim të tillë me tekste shkollore presin që procesi mësimor të nisë me rregull.
“Na është premtua dhe jemi sigurua që procesi mësimor të nisë me rregull”, tha për rtv21 Enver Balaj, sekretar në Këshillin e Prindërve të Kosovës.
Çmimet për libra dallojnë nga shtëpitë botuese, thotë Blerim Muhaxhiri, drejtor në një pikë shitëse në Prishtinë. Ai konsideron se mungesa e një numri të teksteve shkollore erdhi si pasojë e prodhimit të pamjaftueshëm nga shtëpitë botuese.
“Për dallim nga viti i kaluar këtë vit kemi 2 javë kohë për tu përgatitur dhe po besojmë që do ta përballojmë me sukses ndërkohë çmimet dallojnë varësisht nga shtëpitë botuese dhe tekstet që mungojnë edhe pse shtëpia botuese “Dukagjini” i ka të gjitha, disa shtëpi të tjera botuese nuk kanë arritur të prodhojnë për shkaqet të ndryshme”, tha Muhaxhiri.
Furnizimin me tekste shkollore përmes subvencionimit e kritikuan drejtoritë komunale të arsimit por edhe sindikata e pavarur e arsimit. SBASHK-u këtë formë të subvencionimit e ka cilësuar si diskriminim të nxënësve dhe sfidë për mësimdhënësit.
Ndërkohë ish-zëvendës ministri i arsimit Nehat Mustafa vlerëson se edhe këtë vit procesi mësimor nuk do të nisë si duhet.
“Jo po shihet që nuk do të nisë si duhet mësimi sepse nuk ka bashkëpunim të mirëfillt mes ministrisë dhe shtëpive botuse”, tha Mustafa./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?