Kaloni te përmbajtja kryesore

​Mungojnë deputetët, dështon vazhdimi i seancës

(Lajm i përditësuar)

​Mungojnë deputetët, dështon vazhdimi i seancës

Vazhdimi i seancës së sotme plenare ka dështuar për shkak të mungesës së deputetëve.

Vazhdimi i seancës ishte paraparë të nis në orën 14:30, por nisi në orën 15:00. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nisi seancën duke i rekomanduar deputetëve që mos t’i ndërrojnë vendet për shkak të instalimit të paisjeve të reja. Ai tentoi të votohet njëri nga projektligjet por nuk kishte kuorum.

Konjufca shtoi se ka menduar që deputetët mezi e kanë pritur sesionin vjeshtor i cili nisi sot, por siç duket jashtë ka gjëra më interesante. Në fund mbylli seancën për të vazhduar ditëve në vijim për shkak se në sallë ishin vetëm 57 deputetë.


Abdixhiku – VV-së: Ta dini se për pak vota humb shteti

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar partinë në pushtet duke thënë se për 4 vjet nuk ka asnjë njohje të shtetit e po ashtu asnjë anëtarësim. Ai ka akuzuar pushtetin se po i sulmon aleatët.

“Ta dini se përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota humb shteti. Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n. Përveç Urës së Ibrit ka edhe një urë në Badoc, aty s’ka NATO e as media dhe s’ka asnjë pengesë që të përfundojë, por Qeverinë se ke aty as duke e testuar e aq më pak duke e hapir. Lajmi i mirë është se po përfundon ky legjislacion e bashkë me të edhe kjo qeverisje e zymtë”, tha Abdixhiku në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.


​Hoxha: Një pjesë e madhe e nxënësve ende nuk i kanë siguruar tekstet shkollore

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se një pjesë e madhe e nxënësve ende nuk i kanë siguruar tekstet shkollore. Sipas saj, kostoja e planifikuar për tekste shkollore është 20 milionë euro nga pesë milionë sa ishte dikur.

Për katër vjet mandat të qeverisë aktuale, Hoxha tha se viti i ri shkollor asnjëherë nuk ka nisur me normalitet.

“Edhe këtë vit sikur vitin që shkoi, dështimi për të siguruar mjete apo tekste shkollore për mbi 250 mijë nxënës u përsërit, por këtë vit me dashje dhe me plot vetëdije. Sot kur po flasim një pjesë e madhe e nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën ende nuk i ka tekstet shkollore në banka dhe në shtëpitë e tyre. Hiç më pak se 20 milionë euro është kostoja e planifikuar për tekste shkollore nga rreth pesë milionë sa ka qenë oferta zyrtare e ofruar fillimisht nga shtëpitë botuese. Pra, të blihen sipas procedurës ligjore dhe standardit mbi disavjeçar për ofrimin e teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit pa dallim. Por sot qytetarët duhet ta dinë që kjo mënyrë e pabazë dhe e paligjshme e subvencionimit të teksteve shkollore vetëm sa ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe në këtë mënyrë edhe të librarive”, deklaroi ajo.

Hoxha i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë procesin e subvencionimit të teksteve shkollore,

“Kjo duhet të hetohet sa më parë edhe nga prokuroria kompetente sepse konsiderojmë që është në interes të publikut dhe të zbatimit të ligjit që të hetohen të gjitha rrethanat që kanë çuar ne zgjedhjen e kësaj alternative për subvencionimin e teksteve shkollore dhe e dyta të hetohen të gjitha pasojat financiare, administrative dhe ligjore që kanë rezultuar si pasojë e një vendimmarrje të tillë”, shtoi ajo.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që edhe këtë vit subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore dhe mjeteve shkollore do të mundësohet nga MSHHTI-i, sikur vitin e kaluar.


Muja thotë se rritja ekonomike është “arma e fortë” e Qeverisë që s’po diskutohet

Në hapje të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja foli në emër të grupit parlamentar.

Ai tha se fjalimin e parë do t’ia kushtonte performancës ekonomike, duke e vlerësuar atë si “armë të fortë” të qeverisë. Kjo shkaktoi të qeshura në Kuvend.

“Fjalimin e parë dëshiroj t’ia përkushtoj disa zhvillimeve të rëndësishme të cilat për shkak të situatave politike, jo rrallë kanë qenë në hije ose nuk janë diskutu shumë, por një armë e fortë e kësaj qeverie gjithsesi ka qenë performanca ekonomike”, tha Muja.

Për shkak të të qeshurave dhe reagimeve, iu desh të ndalej pak. “Në tremujorin e parë të.. a ka mundësi pak qetësi?”.

Muja tha se “po të mos ishim ne, 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin”.


Mblidhet Kuvendi, seanca e parë për sesionin vjeshtor

Kuvendi i Kosovës mban sot seancë plenare. Në rend dite janë 29 pika, përfshirë votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Siç thuhet në njoftim, seanca fillon nga ora 10:00.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit shqiptar,
5. Emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
10. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
18. Shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
19. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
20. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
21. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
22. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
23. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
24. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
25. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
26. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
27. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
28. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
29. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button