Bajrami – Kelmendit: Pyetni Jusuf Thaçin dhe Arben Vitinë për projektin e digjitalizimit

(Lajm i përditësuar)
Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka replikuar me zëvendësministrin e Arsimit, Taulant Kelmendi lidhur me projektin e digjitalizimit të arsimit në vlerë 5.6 milionë euro.
Bajrami në një status në Facebook, i ka quajtur manipulanta zyrtarët e LVV-së, përfshirë këtu edhe zëvendësministrin Kelmendi.
“Pyeteni Jusuf Thaçin për këtë projekt të vitit 2014-2017. Pyeteni Arben Vitinë si e ka ditë ai për këtë projekt dhe lidhjen e tij me Bekim Kasumin, që e ka implementu këtë projekt”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së, tutje ka theksuar se në MASHT ajo ka qenë ministre 4 muaj dhe se e ka ndaluar fazën e dytë të këtij projekti.
“Unë në MASHT kam qenë ministre 4 muaj dhe e kam ndalu fazën e dytë të këtij projekti. Për projektin unë jam deklaru, shih artikullin në Kallxo.com të datës 9 prill 2020”, ka shkruar Bajrami.
“Hykmete ku është paswordi?” – Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja
Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi ka ngritur pyetje lidhur me projektin prej 5.6 milionë euro për platformën e digjitalizimit të arsimit në Kosovë, e cila, sipas tij, nuk është funksionale dhe nuk gjendet askund.
Kelmendi në një postim në Facebook, ka pyetur ish-ministren Hykmete Bajrami se ku është avulluar ky projekt milionësh.
Ai thotë se platforma ishte pranuar nga Hykmete Bajrami, më 18 mars 2020, kur ajo ka marrë kredencialet për qasje në sistemin digjital të arsimit.
“Znj. Hykmete Bajrami ku është avulluar projekti 5.6 milionë euro për platformën e digjitalizimit të arsimit që nuk e kemi gjetur askund?! Me 18 mars 2020 (shih dokumentin) janë pranuar kredencialet për qasje në platformën digjitale të arsimit nga Hykmete Bajrami, ministre e Arsimit.
Kjo platformë i kishte kushtuar buxhetit të vendit 5.6 milionë euro. Sot e asaj dite paratë kanë shkuar dhe platforma nuk gjendet askund”, ka shkruar Kelmendi.
Kelmendi thekson se ky projekt, që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit deri në vitin 2032, është një kosto e madhe për taksapaguesit kosovarë.
“Ne, me taksat e qytetarëve, duhet të paguajmë për këtë sistem shumën prej 5.6 milionë euro deri në vitin 2032. Platforma nuk gjindet,” ka shkruar Kelmendi.
Në përfundim, Kelmendi kërkon nga Hykmete Bajrami të sqarojë arsyet për mungesën e kësaj platforme, duke pyetur: “Hykmete ku është paswordi?”.