Analistët në “Click” : Fjalimi i Osmanit i vonuar, ajo po kalkulon për mandatin e dytë presidencial

Analistët Arben Fetoshi, Alma Lama dhe Gëzim Kasapolli në emisionin “Click” në RTV21 analizuan fjalimin e Presidentes Vjosa Osmani në Kuvedin e Kosovës.
Në një fjalim të fuqishëm para Kuvendit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani nuk kurseu fjalët për të sfiduar qeverinë mbi menaxhimin e aleancave strategjike dhe çështjeve kyçe për vendin.
Analisti, Arben Fetoshi e konsideroi fjalimin e Vjosa Osmanit edhe si një kalkulim elektoral për të siguruar mbështetje nga partitë aktuale opozitare specifikisht nga LDK-ja për një mandat të dytë presidencial. Fetoshi nënvizoi se Osmani është duke llogaritur një rënie të mbështetjes për LVV-në, përcjell portali rtv21.tv
“Me 9 shkurt, matematika e Vjosa Osmanit është një numër tjetër për Lëvizjen Vetëvendosje që mund të hamendësojmë, por nuk dua të lëshohem në analizë, është ish partia e saj e cila e dëgjon adresimin e saj në Kuvendin e Kosovës, është diskursi i saj i rikthyer në ish partinë e saj për adresimin vjetor para deputetëve dhe qytetarëve. “, tha ai,
Sipas Fetoshit fjalimi i Osmanit në Kuvend në aspektin politik ishte një përpjekje për të riforcuar raportet me LDK-në dhe për të siguruar një pozicion të fuqishëm pas zgjedhjeve. Ai po ashtu bëri përgjegjëse presidenten për pozicionin aktual të Kosovës, duke theksuar se Kosova është nën sanksione dhe ka dështuar në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për njohje të reja ndërkombëtare.
E analisti Gëzim Kasapolli e cilësoi fjalimin e presidentes si të vonuar dhe si hipokrizi, duke u shprehur se presidentja ishte shumë e vetëdijshme që çfarë përfaqësonte LVV.
“Të flasësh për parime nga ana e presidentes, më së paku është hipokrizi sepse ajo e ka ditur që në fillim çka përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje dhe cila është kauza e zotit Kurti. Të flasësh për ruajtjen e aleancave kur ke sportuar një parti e cila ka sulmuar edhe vet ambasadorin amerikane është më tepër se sa poshtëruese, të ilustrosh për hir të votatve një person si Hugo Chavez pastaj të ja japësh mbështejten e parezervë për marrjen e pushtetit apsolut unë besoj se tregon diçka për karakterin e zonjës Osmani”, tha ai, përcjell portali rtv21.tv
Sipas Kasapollit, presidentja po tenton të shmangë përgjegjësinë për situatën e Kosovës dhe po i bën kalkulimet për të fituar edhe një mandat presidencial.
Në anën tjetër, analistja Alma Lama komentoi fjalimin e presidentes, duke vënë në dukje se, ndërsa Osmani kishte të drejtë të kritikonin qeverinë për veprime politike që dëmtojnë interesat e Kosovës, deklaratat e saj ishin shumë të vonuara dhe më shumë ngjanin me një përpjekje për të nisur një fushatë elektorale.
Lama e vlerësoi këtë si një vonesë në adresimin e problemit dhe theksoi se dëmtimi i raporteve me aleatët duhet të ishte trajtuar më herët.
” Fjalimi i saj i sotëm që përmban disa të vërteta i ngjan më shumë tentativës ose hyrjes së presidentes në fushatën elektorale, se sa përgjegjësisë politike dhe kushtetuese që e ka pasur prej 4 vitesh, dëmtimi i raporteve me aleatët është dashur të evidentohet dhe të distancohet prej momentit kur janë shfaqur tendecat, tani në fund ta mandait është vonë”, tha Lama./21Media