“Kosova ka mundësi të anëtarësohet në NATO në mënyrë të përshpejtuar”

Sulmi terrorist i 29 nëntorit mbi kanalin e Ibër-Lepencit që cenoi infrastrukturën kritike të Kosovës por edhe situata e brishtë e sigurisë në nivel global, ka krijuar një momentum të mirë për Kosovën për anëtarësim të përshpejtuar në NATO, thotë ushtaraku në pension Hysen Gecaj. Sipas tij, FSK-ja, ka kohë që ka plotësuar kushtet për të qenë pjesë e NATO-s, por një gjë të tillë e kanë penguar 4 shtetet mos njohëse anëtare të saj. Sipas tij me krijimin e rrethanave të reja të sigurisë Kosova duhet të dijë të shfrytëzoj momentumin dhe të bëhet pjesë e NATO-s.

“Megjithatë, në këtë situatë globale të sigurisë, Kosova ka një shans të mirë sepse Evropa dhe SHBA kanë nevojë për unifikim të NATO-s, dhe kjo në njëfarë mënyre e hap mundësinë për një përshpejtim të procedurave për anëtarëimin e Kosovës ,në NATO, dihet që i kemi katër shtete anëtare që nuk e njohin Kosovën dhë kjo është një pengesë për ne, por meqenëse rrethanat që përmenda janë aktuale nënkupton që edhe ato mund të japin pëlqimin e tyre që Kosova të jetë pjesë e NATO-s”, tha Gecaj për rtv21

Më 29 nëntor, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, nga një shpërthim është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Policia tha se nuk kishte viktima por dëmet në kanal ishin të mëdha. Autoritetet në Kosovë thanë se në sulm janë përdorur deri në 20 kilogram mjete shpërthyese dhe sulmin e cilësuan si terrorist dhe më të rëndin që nga koha e luftës. Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se ky sulm shpërfaq nevojën urgjente që ka Kosova të anëtarësohet në NATO. Shala, përmend anëtarësimin e përshpejtuar të Finlandës në NATO dhe avancimin e Suedisë në këtë aspekt. Të dy këto shtete avancuan në hapa të shpejtë në NATO, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili rriti shqetësimet e sigurisë globale.

“Në qoftsë egziston vullneti politik i anëtarëve të NATO-s, mund të bëhet sikur me rastin e Finlandës dhe Suedisë…”, tha Shala.

Por, pavarësisht se ekziston mundësia që Kosova të anëtarësohet në NATO në mënyrë të përshpejtuar si shkak i situatës globale të sigurisë, ushtaraku në pension Hysen Gecaj, ngre shqetësimin se bashkësia ndërkombëtare e ka humbur besimin mbi politik bërjen në Kosovë

“Kur humbet besimi pa marr parasysh se edhe ata mund të kenë nevojë për neve ndodh distancimi qysh e kemi pas këto katër vitet e fundit ku për arsye mos besimi të krijuar atëherë shumë procese janë lënë anash dhe ndryshuan trajektoren që ishin duke shkuar më herët për zgjidhje në kuptimin politik dhe kjo na ka humbur shumë vite shto këtu edhe problemet e më hershme që kishin siç ishin bllokadat me Demarkacionin…”, tha Gecaj

Ministri i mbrojtjes Ejup Maqedonci, ditë më parë ka deklaruar se pavarësisht pengesave që dalin nga katër shtetet mosnjohëse të cilat janë anëtare të NATO-s, Kosova është në hap të duhur dhe se ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë strategjik. Anëtarësimin e përshpejtuar në NATO, ditëve të fundit e ka ri aktualizuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili një gjë të tillë e ka edhe premtim elektoral./RTV21/21Media

Back to top button