Rrjetet sociale që po vjedhin fëmijërinë

Përdorimi i platformave të ndryshme si TikTok apo SnapChat nga fëmijët konsiderohet të jetë arsyeja kryesore e çalimit në shoqërimin dhe komunikim në procesin e rritjes se tyre. Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkon që rrjetet sociale të jenë të kufizuara për përdorim nga fëmijët, ndërsa lojërat e sfidat e ndryshme të bllokohen.
Edhe pse fëmijëria konsiderohet të jetë periudha më e rehatshme pa shumë obligime e informacione të panevojshme për moshën, rrjetet sociale kanë kaluar pothuajse në një mani të shumicës së fëmijëve.
Kjo dukuri për më keq ka ndikuar negativisht në shpërqendrimin e tyre nga shumë aktivitete, siç është leximi i librave, sportet e lojërat e ndryshme, duke i zëvendësuar ato me platformat teknologjike.
Mësuesja në Shkollën e Gjelbër në Prishtinë, Fitore Maçani, thekson nevojën e veprimeve konkret nga MASHT-I, për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga nxënësit.
“Po ndikon në mësimnxënie. Përvec që po humbin kohë edhe informatat po i marrin më të shpejta e më të shkurtëra aty. Fëmijët që qëndrojnë shumë para teknologjisë janë shumë më të vonshëm në komunikim. Gjithashtu edhe në socializim ndikon. Po presim një vendim që ndalon platformat sociale si tiktok, snapchat sepse po ndodhin edhe lëndimet dhe vetlëndimet. Po presim kufizim prej MASHT-it apo prej kujtdo qoftë”, tha ajo për rtv21.
Sipas psikologes Njomza Hetemi, një nga efektet më negative që prodhojnë rrjetet sociale, është qasja në përmbajtje të dhunshme, gjë që ndikon në rritjen e agresivitetit të fëmijëve.
“Janë shumë më të mbyllur në vetvete, ma të izolum, komunikimin nuk e kanë si ma parë sic ka qenë me prindërit ose bashkëmoshatarët e tyre për shkak të izolimit në vetvete. Vet fakti se përdorimi i rrjeteve sociale për një kohë të gjatë , ndikon me qenë ma të izolum përkundër bashkëmoshatarëve të tyre”, tha për rtv21 Hetemi.
Karshi krejt kësaj situate, Këshilli i Prindërve të Kosovës, kërkon që përmbajtjet e dhunshme siç janë disa video-lojëra të bllokohen tërësisht.
“Ne si KPK vlerësojmë se përdorimi i rrjeteve sociale nuk është i dobishëm për përdorim nga nxënësit, dhe si i tillë duhet të mos përdoren nga ata, apo edhe nëse përdoren, të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga prindërit. Përdorimi i rrjeteve sociale do të duhet të jetë i kufizuar në përdorim dhe aplikim, si dhe të jetë i kontrolluar nga institucionet shtetërore. Pra, ato rrjete sociale të cilat kanë promovuar lojëra të rrezikshme dhe janë duke promovuar lojra të dhumshme do të duhet që të mbyllen ne tërësi dhe të jenë jo-funksionale në RKS”, tha Besnik Dragusha nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Sipas një hulumtimi të organizatës ndërkombëtare “Save The Children”, mbi rreth 80 për qind nga 1 mijë fëmijë të anketuar, janë deklaruar se bullizmi është shumë ose mesatarisht i pranishëm në shkolla dhe në TikTok, ndërsa rreth 57% e kanë thënë të njëjtën për platformën Snapchat./RTV21/21Media