Kaloni te përmbajtja kryesore

Isufaj: S’kam dëgjuar të jetë intervistuar dikush më parë në Kryeministri

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj në një konferencë për media është përgjigjur ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, ndonëse jo në mënyrë direkte.

I pyetur nga gazetarët rreth ftesës për intervistim ndaj Kurtit dhe deklaratës së tij që pret prokurorët në zyrë ta intervistojnë, Kryeprokurori Isufaj u shpreh se “ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetëror”.

“Ftesa për të dhënë dëshmi është një procedurë e rregullt, dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore që të bashkëpunoj me institucionet e drejtësisë. Iu bëjë thirrje të gjitha institucioneve publike përfshirë edhe qeverinë që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë”, tha Isufaj.

Ai tha se nuk është këtu për të komentuar deklaratat e askujt.

“Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt,sepse fare nuk më interesojnë. Prokuroria Speciale nuk janë për të bërë skenarë, ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emri. Nuk kam informacione nesh dikush është intervistuar ndonjëherë në zyrën e kryeministrit, ndoshta mund edhe të ketë por unë nuk di”, tha Isufaj.

Rreth deklaratës së Kurtit ku prokurorët e Kosovës, i ka quajtur si “kërmij”, dhe “lepuj”, Isufaj u shpreh se deklaratat e tilla minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë.

“Deklaratat denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëve dhe institucioneve të prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin e sistemit të drejtësisë por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, tha Isufaj.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button