Gjermania voton sot

(Lajm i përditësuar)


​Trump komenton zgjedhjet gjermane

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani, në të cilat partia e kancelarit Olaf Scholz pësoi humbjen më të madhe në historinë e saj të pasluftës, AfD-ja ekstreme u rendit e dyta dhe CSU/CDU doli fituese, por që nuk mund të formojë e vetme qeverinë e re.

Trump në rrjetin Truth Social ka përgëzuar gjermanët për zgjedhjet e sotme, duke thënë se ‘është një ditë e mrekullueshme për Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.

“Duket se partia konservatore në Gjermani ka fituar një zgjedhje shumë të rëndësishme dhe të shumëpritur. Ngjashëm me SHBA-në, populli i Gjermanisë është lodhur nga agjenda pa sens të përbashkët, veçanërisht për energjinë dhe emigracionin, që ka mbizotëruar për kaq shumë vjet. Kjo është një ditë e mrekullueshme për Gjermaninë dhe SHBA-në nën udhëheqjen e zotit Donald J. Trump. Urime të gjithëve.”

Sipas rezultateve aktuale, Partia Liberal Demokratike (FDP) dhe Aleanca e sapo themeluar populiste e majtë Sahra Wagenknecht nuk e kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qind. Në këtë mënyrë CDU/CSU mund të krijojë koalicion me SPD-në, gjë që u spekulua vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore.

Në rast se FDP siguron hyrjen në Bundestag, është i mundur koalicioni CSU/CDU- SPD-FDP, por edhe koalicioni CSU/CDU-SPD-Të Gjelbërit.

Friedrich Merz ka theksuar në disa raste gjatë fushatës se bashkëpunimi me AfD-në ishte jashtë diskutimit.

Ai pas zgjedhjeve të sotme ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, ndërsa kancelari aktual Olaf Scholz e pranoi humbjen e partisë së tij.


Sondazhet: Konservatorët e Merzit fitojnë zgjedhjet në Gjermani, AfD-ja rritet bindshëm

Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e së dielës me 28.5 – 29 për qind të votave, sipas sondazheve të para televizive.

Partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) renditet e dyta me 19.5 – 20 për qind të votave, që do të thotë se e ka dyfishuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF.

Sipas tyre, partia e kancelarit Olaf Scholz renditet e treta.

Dalja në zgjedhje ka qenë 83 për qind, në krahasim me 76.6 për qind më 2021.

Më shumë se 59 milionë njerëz kanë pasur të drejtë të votojnë në shtetin me 84 milionë banorë, për të zgjedhur anëtarët e Bundestagut – dhomës së ulët të parlamentit – me 630 ulëse.

Merz lavdëron “fushatën e mrekullueshme zgjedhore”

Nëse rezultatet e sondazheve do të vërtetohen, Merz duket se do të jetë kancelari i ri i Gjermanisë, vendit me ekonominë më të madhe në Evropë.

Mirëpo, për të siguruar shumicën në parlament, atij do t’i duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti tjetër, me shumë mundësi me Socialdemokratët (SPD) e kancelarit në shkuarje, Olaf Scholz.

Merz u është drejtuar mbështesëve nga selia e partisë, duke lavdëruar “fushatën e mrekullueshme zgjedhore”, dhe ka folur me “respekt për kundërshtarët politikë”.

“Tani do të diskutojmë së bashku, sepse është e rëndësishme të formojmë Qeverinë sa më shpejt që është e mundur. Bota nuk është duke na pritur neve”.

Sipas tij, të gjithë në botë duhet të shohin që Gjermania ka një Qeveri të qëndrueshme dhe të besueshme.

“Sonte do të festojmë, nesër do ta nisim punën”.

Scholz: Na duhet ta pranojmë që humbëm zgjedhjet

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve është i “hidhur” për partinë e tij, SPD, duke e quajtur situatën “humbje”.

SPD-ja duket se ka regjistruar atë që është rezultati më i dobët në Gjermaninë e pasluftës, me rreth 16 – 16.5 për qind.

Duke folur para mbështetësve në Berlin, Scholz ka thënë se është koha që “të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet”.

Sipas tij, partia ka pasur rezultate më të mira në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ka qenë përgjegjës ai, dhe që rezultati tani është “më i keq, dhe për këtë jam përgjegjës, gjithashtu”.

Scholz e ka uruar Friedrich Merzin për fitoren.

Liderët e AfD-së: Kemi mandat për të bërë ndryshim politik

Rritja e AfD-së, parti kundër imigrimit, është rezultat i zemërimit publik rreth çështjeve të migrimit dhe sigurisë, pas një morie të sulmeve të kryera nga migrantët, dhe pas shqetësimeve për dobësim të ekonomisë.

Pavarësisht kësaj, AfD pritet të mbetet jashtë pushtetit, tani për tani, sepse të gjitha partitë tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të.

Liderët e AfD-së kanë thënë se janë shumë të lumtur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Njëri prej udhëheqësve, Tino Chrupalla, ka thënë se është “shumë krenar” me partinë.

“Ne ishim të bashkuar, fushata jonë ka pasur cak dhe kemi qenë të disiplinuar”, ka thënë ai, duke qenë afër Alice Weidelit, udhëheqëses tjetër të partisë.

“Ne mund të bëjmë ndryshim epokal”, ka thënë ai, duke shtuar se janë të hapur për negociata.

“Ne kemi fituar besimin e votuesve dhe kjo duhet të jetë diçka që e pranojnë të gjithë”, ka shtuar ai.

Të Gjelbërit, një tjetër partnere e mundshme për CDU/CSU, duket se ka siguruar 12-13.5 për qind të votave.

Zgjedhjet janë mbajtur pas prishjes së koalicionit trepartiak të Scholzit, në fund të vitit të kaluar. /REL


A është Gjermania në prag të një kthese politike?

Më 23 shkurt zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për Bundestagun. Migracioni dhe ekonomia kanë qenë temat kryesore të fushatës. CDU/CSU kryeson në sondazhe dhe premton një ndryshim politik.

Fushata elektorale ishte shkurtër, por e ashpër. Një fjalë u përsërit shpesh: ndryshim kursi. “Provuat tre vjet të bëni politikë të majtë në Gjermani. Nuk mund të vazhdoni më kështu”, tha dy javë para zgjedhjeve Friedrich Merz, kandidati për kancelar i partive konservatore CDU/CSU.

Në Bundestag, ai iu drejtua SPD-së dhe të Gjelbërve, të cilët, së bashku me FDP-në, ishin në koalicionin tripartiak të qendrës së majtë prej vitit 2021. Në nëntor 2024, qeveria u shpërbë pas muajsh të tërë debatesh për mungesën e fondeve në buxhet. Kjo situatë çoi në zgjedhjet e parakohshme, më 23 shkurt.

SPD-ja përballet me një humbje të rëndë

Ndërsa të Gjelbërit ruajnë në sondazhe një mbështetje të ngjashme me atë të vitit 2021, SPD-ja dhe FDP-ja kanë pësuar një rënie të ndjeshme. FDP-ja rrezikon të mos e kalojë pragun prej 5%, ndërsa SPD-së i kanoset një disfatë historike. Çdo rezultat nën 20% do të ishte më i keqi për këtë parti në historinë e pasluftës – dhe sondazhet e tregojnë atë shumë larg këtij pragu, aktualisht në 14%. Olaf Scholz do të bëhej kështu kancelari me mandatin më të shkurtër në 50 vitet e fundit dhe i vetmi socialdemokrat që nuk ka arritur të rizgjidhet si kancelar.

Unioni në krye, AfD në vendin e dytë

Sipas sondazheve, Friedrich Merz ka shanset më të mira për të fituar kancelarinë. Kryetari i CDU-së udhëheq Unionin e CDU/CSU, i cili, pasi drejtoi vendin për 16 vjet, kaloi në opozitë në vitin 2021 dhe tani kërkon të rikthehet në pushtet. Në vendin e dytë, me rreth 20% të votave, është AfD-ja, një parti pjesërisht ekstremiste e djathtë. Kjo është dyfishi i rezultatit të saj në vitin 2021.

Si ra SPD-ja dhe u ngrit AfD-ja?

Kandidati për kancelar i CDU-së, Friedrich Merz, e shpjegon këtë me rënien e ekonomisë. Sipas tij, “ekonomia jonë kombëtare, është tani e fundit në Bashkimin Evropian”. 50,000 kompani kanë shpallur falimentim dhe rreth 100 miliardë euro kapital biznesi largohet nga vendi çdo vit. “Ekonomia jonë po tkurret, për të tretin vit radhazi jemi në recesion. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e pasluftës në Gjermani.”

Sipas Merz-it, Scholz dhe ministri i tij i Ekonomisë, Robert Habeck, i cili garon si kandidat për kancelar nga të Gjelbërit, “nuk e kuptojnë më realitetin”. “A e dini si më dukeni?” – iu drejtua ai kundërshtarëve të tij. “Si dy drejtorë të punësuar, të cilët e kanë drejtuar një kompani drejt falimentimit dhe tani u thonë pronarëve: Ne duam ta vazhdojmë kështu edhe për katër vjet të tjera.”

Lufta, kriza energjetike, inflacioni

Ndërsa Merz kritikon qeverinë aktuale gjithnjë e më ashpër, kancelari Scholz kalon gjithnjë e më fort mbrojtje. Ai thotë se nuk është faji i qeverisjes së tij, por agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës që ka shkaktuar krizën energjetike dhe inflacionin. Sipas Scholz-it, vështirësitë ekonomike do të vazhdojnë edhe për shkak të politikave të papritura të presidentit amerikan Donald Trump. “Era fryn kundër nesh. Dhe e vërteta është: kjo situatë nuk do të ndryshojë thelbësisht në vitet e ardhshme.”

AfD e gatshme për koalicion me CDU/CSU

Ekonomia e dobësuar ishte njëra nga temat më të diskutuara gjatë fushatës zgjedhore. Por pas një sulmi vdekjeprurës me thikë nga një azilkërkues i refuuar në Aschaffenburg, çështja e migracionit kaloi në plan të parë. Friedrich Merz kërkoi ashpërsimin e politikës së azilit dhe paralajmëroi se, nëse do të ishte e nevojshme, do ta mbështeste edhe me votat e AfD-së.

Deputetët e AfD-së e pritën me entuziazëm faktin që, në fund të janarit, një mocion i CDU/CSU për rregullore më të ashpra për azilin u pranua për shqyrtim në Bundestag. Si përfundim, mocioni u rrëzua me votat e partive të tjera dhe disa deputetëve të CDU-së, por për partinë e skajit të djathtë, AfD, kjo ishte një fitore. “Këtu dhe tani fillon një epokë e re”, tha Bernd Baumann, drejtuesi grupit parlamentar të AfD-së. “Diçka e re po fillon dhe AfD është partia që do ta udhëheqë këtë ndryshim.” Ai e deklaroi partinë e tij të gatshme për një koalicion me CDU/CSU.

Merz përjashton koalicon me AfD-në

Pas këtij votimi, qindra mijëra qytetarë dolën në protesta kundër rritjes së ndikimit të së djathtës së skajshme në Gjermani. Edhe Scholz e kritikoi këtë bashkëpunim të konservatorëve me AfD-në. “Nuk është e parëndësishme nëse bashkëpunon apo jo me ekstremistët e djathtë. Jo në Gjermani!”, tha ai. Ai shtoi se qytetarët nuk mund të kenë besim se Unioni nuk do të bashkëpunojë me AfD-në pas zgjedhjeve. Në debatet e mëpasshme televizive, Friedrich Merz e ka përjashtuar në mënyrë kategorike çdo mundësi bashkëpunimi me AfD-në. Sipas tij, qëllimi i AfD-së është të shkatërrojë CDU/CSU-në dhe një koalicion me AfD-në nuk do të ndodhë kurrë.

Kush mund të formojë qeverinë e re?

Por Merz-it nuk do t’i mjaftojnë votat për të qeverisur pa një parti partnere në koalicion. Sa më shumë parti të hyjnë në Bundestag, aq më të ndërlikuara bëhen marrëdhëniet dhe formimi i një qeverie. E majta pritet të arrijë pragun e hyrjes në parlament, ndërsa partia e re BSW dhe FDP-ja janë në rrezik. Nëse FDP-ja hyn në Bundestag, do të nevojitet ndoshta një qeveri tripartiake. Por liberalët e FDP-së kanë thënë se nuk duan të hyjnë sërish në një koalicion me të Gjelbërit, duke lënë si opsion vetëm një aleancë mes CDU/CSU, SPD dhe FDP. Nëse FDP ose BSW nuk hyjnë në parlament, mundësitë e tjera janë një koalicion mes CDU/CSU dhe SPD-së ose mes CDU/CSU dhe të Gjelbërve.

AfD mbetet e izoluar

AfD-ja nuk ka gjasa të hyjë në ndonjë koalicion, por drejtuesja e saj Alice Weidel deklaroi se qeveria e re do të vijojë politikën e deritanishme dhe se ndryshimi do të ndodhë gjithsesi, por “vetëm do të vonohet”.

Zgjedhjet e 23 shkurtit do të përcaktojnë kursin e ardhshëm politik të Gjermanisë. /DW


Gjermania voton sot

Gjermanët sot do iu drejtohen kutive të votimit, pas një fushate zgjedhore intensive të dominuar nga ekonomia e lëkundur e vendit të tyre dhe një sërë sulmesh vdekjeprurëse që e kanë bërë migrimin dhe sigurinë një çështje kryesore.

Friedrich Merz, lideri konservator 69-vjeçar, është duke kandidauar për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, në një votim të ndjekur nga afër në Evropë dhe SHBA.

Ai premton të rregullojë shumicën e problemeve në katër vjet – një urdhër i lartë për ekonominë më të madhe të Evropës dhe një infrastrukturë kërcitëse.

Nëse Kristian Demokratët e Merzit (CDU) fitojnë, atij do t’i duhet të krijojë një aleancë me të paktën një parti tjetër, me shumë mundësi Social Demokratët e Olaf Scholz, qeveria e të cilëve u rrëzua në fund të vitit të kaluar.

Në prag të votimit, Merz ishte i bindur se nuk do të kishte asnjë marrëveshje me Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, e cila është gati të bëhet forca e dytë më e madhe politike, përpara qendrës së majtë të Scholz.

Rreth 59.2 milionë gjermanë kanë të drejtë të votojnë, dhe ndërsa miliona tashmë kanë të drejtë të votojnë me postë, sondazhet tregojnë se 20% ishin të pavendosur përpara ditës së zgjedhjeve.

Vendvotimet hapen në orën 08:00 (07:00 GMT) dhe mbyllen në orën 18:00.

Back to top button