Pas vdekjes së gruas në Podujevë, Bajrami kërkon veprime konkrete nga Qeveria për trajtim ndaj qenve endacakë

Kandidatja e LDK-së për deputete, Hykmete Bajrami, ka bërë një thirrje drejt Qeverisë Kurti, për veprim urgjent kundër situatës së krijuar me qentë endacakë.
Bajrami lidhur me këtë çështje reagoi sot pak kohë që kur u njoftua se një grua humbi jetën si pasojë e sulmit në zemër, nga paniku pasi po ndiqej nga qentë endacakë.
”Është koha e fundit për të vepruar, për të ndërmarrë masa. Lini strategjitë, lini tenderët, sepse deri më tani të gjitha përpjekjet e fragmentuara nëpër komuna kanë dështuar.
Kryeministri në detyrë duhet të ftojë urgjentisht në takim Asociacionin e Komunave, Qeveria në detyrë duhet të ndajë fonde, të caktojë detyra dhe përgjegjësi për institucionet përkatëse, të caktoj afate kohore që trajtimi i qenve endacakë të fillojë mënjëherë, në nivel vendi.
Po e përsëris: ky problem duhet të adresohet me urgjencë! Tragjeditë si kjo e sotmja nuk duhet të kalojnë pa reagim institucional, dhe nuk po flas për deklarata me shkrim, por për veprime konkrete. Në fund të fundit, çfarë na duhen institucionet nëse nuk mund të ofrojnë siguri për qytetarët jashtë oborrit të tyre? Ngushëllime familjes nga Podujeva!”, ka shkruar Bajrami.
Policia e Kosovës e ka hapur rastin si “hetim mbi vdekjen” për gruan që vdiq sot në Podujevë, e cila dyshohet se pësoi sulm në zemër nga frika e ndjekjes së qenve.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policinë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e njëjta tha se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML./21Media