Prenkaj: Sjellja autoritare e Qeverisë largon nga aleatët

Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, në një intervistë për RTV21 ka thënë se veprimet e Qeverisë të cilat vazhdojnë të jenë të pakoordinuara me bashkësinë ndërkombëtarë çdo moment e më tepër janë duke e ngarkuar relacionin me shtetet mike siç është SHBA-ja dhe BE-ja. Sipas tij, kjo politikë e Qeverisë në raport me ndërkombëtarët kontribuon në izolimin e Kosovës.
“Saga e numërimit të votave e ka preokupuar kastën politike të Kosovës dhe duket se janë të shurdhër ndaj të gjitha atyre se cfarë po ndodh mes nesh dhe në aspektin global. Veprimet e Qeverisë në detyrë që vazhdojnë të jenë të pakoordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë çdo moment e më tepër janë duke e ngarkuar relacionin me shtetet mike, janë duke vazhduar politikën izolacioniste dhe ku të dimë ne se ku do të na sjellë kjo politikë. Jemi duke u sjella me komunitetin ndërkombëtar sikurse ne jemi qendra e vendosjes dhe ne diktojmë politika duke harruar se jemi vetëm pjesë e rajoni tonë, një shtet i vogël që ka nevojë për miq dhe partner ndërkombëtar”, tha ai.
Ambasadori Prenkaj vlerëson se nëse Qeveria vazhdon të mos i dëgjojë kërkesat dhe sugjerimet e partnerëve ndërkombëtar, Kosova largohet cdo ditë e më shumë nga aspiratat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Sa më shumë që ne kemi ego politik dhe vazhdim të një politike absurde të kësaj Qeveria, një sjellje autoritare neve na largon nga kërkesat tona për anëtarësim në NATO dhe BE. Çfarëdo bashkëpunimi edhe në aspektin bilateral e le më që nuk mund të futemi me tutje të kërkojmë një bashkëpunim multilateral për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nëse vazhdojnë me këtë qasje”, tha Prenkaj.
Ambasadori Prenkaj tha se në momentin që Kosova do të jetë në tryezën e zgjidhjes së problemeve në Kosovë edhe në raport me dialogun me Serbi, sipas tij, presidenti Trump do të imponojë zgjidhje të shpejtë.
“Në muajin e parë të Qeverisjes së administratës Trump jemi duke parë një dinamikë tjetër. Jemi futur në një rend të ri botëror. Presidenti Trump ka një qasje tjetër në zgjidhjen e problemeve. Sot do të shohim se si do të kaloj nënshkrimi i marrëveshjes me presidentin e Ukrainës Zelenski dhe në qoftë se vjen Kosova në tavolinën e presidentit Trump unë jam i bindur se ai do të imponoj ndonjë dinamikë, unë shpresoj të mos jemi pjesë e menysë, por të jemi pjesëmarrës në zgjidhjen e problemeve. Deri më tani kasta jonë politike nuk ka treguar ndonjë afinitet që i qaset problemit të zgjidhjen se Kosovës e në radhë të parë procesit të dialogut me Serbinë në mënyrë dinamike, por kemi hasur në një heshtje totale të Qeverisë e cila po vazhdon të ndërmerr masa që nuk janë në koordinim me komunitetin ndërkombëtar”, tha ai./RTV21/21Media