Departamenti Special i Prishtinës po synon t’i përfundoj 80 raste në vitin 2025

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka planifikuar që deri në fund të vitit 2025 t’i përfundojnë 80 lëndë gjyqësore.
Kjo u bë e ditur ngashefi i departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valon Kurtaj në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me ç’rast u miratua edhe plani i punës i Departamentit Special të Gjykatës Themelore Prishtinë për vitin 2025.
Gjyqtari, Kurtaj gjatë kësaj mbledhje ngriti shqetësimin edhe për numrin e vogël të gjyqtarëve në këtë departament.
“Gjendjen aktuale në numrin e gjyqtarëve, zyrtarëve ligjor dhe bashkëpunëtorëve profesional e kemi pasqyruar ku në pjesën e dytë të vitit 2024 kemi pas minus 4 gjyqtarë, ndërsa presim që në vitin 2025 ky numër nga KGJK të rritet që ta shtojmë efektivitetin dhe efikasitetin sa më shumë. Departamenti Special duke marr parasysh që kemi një numër shumë më të vogël të gjyqtarëve sesa vitin e kaluar kemi caktuar target që të paktën t’i përfundojmë numrin e rasteve sa i kemi edhe në vitin 2025 me gjyqtarët kur qenë më shumë se sa jemi sot. Ne e kemi caktuar një listë e cila është edhe pjesë përbërëse e këtij plani të cilat janë raste të selektuara mbi bazën e strategjive, prioriteteve të cilat i ka sistemi. Dhe një ashtu rastet të cilat janë në paraburgim e për të cilat duhet patjetër të trajtohen. Këto 80 raste ne besojmë që do t’i trajtojmë dhe përfundojmë të gjitha, mirëpo si target e kemi vendosur që t’i kemi së paku 70 prej tyre që të përfundohen. Por, ka mundësi që nëse rritet numri i gjyqtarëve në Departament Special që ky numër të rritet edhe më shumë i përfundimit të rasteve”, tha Kurtaj.
Gjyqtari, Kurtaj tregoi se si do të monitorohen rastet e përfshira në këtë listë.
“Kjo listë do të monitorohet në tri nivele, niveli i parë është veç gjyqtari i cili do ta monitoron vetë rastet e veta ku do të raporton se si po ec në rrugën e tij për t’u raportuar, dhe nëse ka ndonjë pengesë propozoj që ai rast të lihet jo më anash, por në raport me rrethanat që kanë dal të procedohet dhe të procesohet një rast tjetër që të mos harxhohet energji. Përgjegjësi i departamentit do t’i merr të gjitha të dhënat nga gjyqtarët dhe do t’i dërgoj deri tek kryetari i gjykatës dhe Këshilli. Dhe i treti nivel është kryetari apo kryetarja e gjykatës do të vendos se në listë a duhet të bëhet rifreskimi i listës dhe se cila raste të futen në listë apo një rasti t’i jepet më pak prioritet për shkak të rrethanave teknike apo procedurale”, u shpreh gjyqtari Kurtaj.
Por, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj kërkoi që edhe lëndët që janë në listat e vitit 2023 dhe 2024 të marrin trajtim sa më të shpejt.
“Lëndët që kanë qenë edhe në dy listat e mëparshme të sigurohemi që kanë marr trajtim sa më shpejt që është e mundur ndërkohë që është tepër me rëndësi që departamenti të sigurohet që lista të trajtohet si një dokument i gjallë që pranon edhe ndryshime për shkak se mund të kemi ndryshime në vetë numrin e gjyqtarëve të departamentit ndoshta edhe nga ky takim i KGJK-së“, ishte kërkesa e Kryesuesit të KGJK-së.
Lidhur me këtë kërkesë të kryesuesit të KGJK-së, gjyqtari Valon Kurtaj siguroi se rastet e veprave penale që janë në listën e vitit 2024 thuajse janë në përfundim.
“Të gjitha ato raste që kanë qenë edhe tek lista e vitit 2024 janë këtu dhe pjesa më e madhe e tyre janë në përfundim. Kemi arritur një pjesë e tyre t’i bindim deri tek përfundimi, mirëpo për çështje teknike apo ndryshimit të numrit të gjyqtarëve, mos mundësisë për caktimin e seancave të vazhdueshme kemi pas pengesa në përfundimin e tyre. Besoj që deri në vitin 2025 vetëm ato raste të cilat ndoshta për shkaqe ligjore e procedural nuk mund të trajtohen ndërsa të tjerat do të përfundohen gjithsesi”, theksoi ai.
Në këtë mbledhje u morë vendim që gjyqtarët, Vegim Maloku dhe Driton Nocaj nga data 1 shtator do të transferohen për periudhë të përhershme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, saktësisht në Departamentin për çështje administrative. Maloku dhe Nocaj deri tani kanë vepruar në Gjykatën Themelore në Pejë.
Po ashtu, në këtë mbledhje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës u dërguan për dekretim tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani emrat e 21 kandidatëve të rinj për gjyqtarë në gjykatat themelore të Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?