Osmani e Rutte në konferencë për media

(Lajm i përditësuar)
Rutte për dialogun Kosovë-Serbi: Palët të bëjnë kompromise të duhura
Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se Kosova e Serbia duhet të bëjnë “kompromise të duhura” në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, “të dyja palët duhet të fokusohen në dobitë afatgjate”.
Ai ka thënë se e kupton që kjo kërkon vendime të vështira, por sipas tij, duhet të shihet “pamje më e gjerë”.
“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të ofruar të ardhme stabile dhe që të mbrohen të gjitha komunitetet. Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise të duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate. E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamje më të gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe më pas siguri më afatgjatë për të gjithë rajonin në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që do të vazhdoj ta përsëris”, ka thënë ai në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani.
Rutte: Përkushtimi i NATO-s për stabilitet mbetet i qëndrueshëm
Rutte është zotuar po ashtu se përkushtimi i NATO-s për stabilitet e paqe në Kosovë dhe rajon mbetet i qëndrueshëm.
“Trupat tanë punojnë pa pushim për të siguruar ambient me rend dhe siguri në përputhje me mandatin e KFOR-it. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s”, ka thënë ai. “Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo zhvillimi të sigurisë. Dhe në këtë kuptim shpresojmë të shohim bashkëpunim edhe më të thellë në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. NATO-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vet në mandatin e vet për sigurinë e të gjithëve. Këtë e bëjmë në bashkërendim të afërt me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe rolet tona përkatëse”, ka thënë ai.
Rutte ka shtuar tutje se të gjitha palë duhet të zgjedhin diplomacinë para dhunës.
Osmani: Është koha që Kosova ta ketë vendin në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit shefin e NATO-s Mark Rutte në një konferencë të përbashkët për media tha se është koha që Kosova ta ketë vendin në NATO.
“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO nuk është thjeshtë një interes shtetëror i yni, por edhe një domosdoshmëri strategjike për paqen në rajon dhe gjithë kontinentin evropian. Ne duam që të thellojmë partneritetin tonë me NATO-n duke zhvilluar çdo ditë e më shumë ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një forcë bashkëkohore, profesionale dhe ndërvepruese me forcat partnere në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë kudo në botë”, ka thënë ajo.
Përfundon takimi, Osmani e Rutte dalin në konferencë
Takimi ndërmjet presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefit të NATO-s, Mark Rutte ka përfunduar.
Aktualisht Osmani dhe Rutte janë në një konferencë për media.
Nis takimi Osmani-Rutte
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbërritur të martën në Prishtinë, për t’i nisur takimet me krerë të lartë shtetërorë.
Ai fillimisht është mirëpritur nga presidentja Vjosa Osmani, dhe më vonë gjatë ditës do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Përveç takimit me liderë shtetëror, Rutte do të vazhdojë takimet edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano e shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Shefi i NATO-s erdhi me një delegacion, pas vizitës që pati në Bosnjë-Hercegovinë./21Media