Tenton të mashtrojë familjarët se kishin rrëmbyer, kapet 45-vjeçari në kryeqytet

Një 45-vjeçar është shoqëruar në stacionin policor pasi u gjet në një rrugë të Prishtinës, duke pretenduar se ishte rrëmbyer.
Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci, tha për portalin rtv21.tv se personi i shoqëruar në polici kishte tentuar të përfitojë materialisht nga familjarët, duke thënë se është rrëmbyer nga persona të panjohur më datën 30 prill 2025.
“Sot rreth orës 00:45, familjarët kanë denoncuar në polici se nga data 30.04.2025, një person është rrëmbyer dhe nga ajo kohë nuk kanë pasur kontakte me të. Sipas denoncimit, rrëmbyesit e pretenduar, përmes mesazheve të dërguara kanë kërkuar një shumë të caktuar të parave, në këmbim të mirëqenies së viktimës”, tha Borovci.
Menjëherë pas denoncimit, specialistë nga njësia e hetimeve të përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të ngjarjes.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të koordinuara policore, rreth orës 13:00, është arritur të lokalizohet vendndodhja e viktimës së pretenduar, mashkull, rreth 45-vjeç, i cili është gjetur i vetëm në një veturë në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë”, shtoi ai.
Më tej Borovci njoftoi se i njëjti është shoqëruar për intervistim në stacionin policor dhe pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se nuk ka të bëjë me rrëmbim, por personi në fjalë vetë kishte dërguar mesazhet kërcënuese drejt familjes me qëllim të sigurimit të një shume të caktuar parash për përfitime personale.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të shmangin deklarimet dhe veprimet mashtruese, të cilat jo vetëm që keqpërdorin burimet institucionale, por edhe shkaktojnë panik të panevojshëm./21Media