Shkencëtarët: Akulli po shkrihet me shpejtësi rekord, niveli i detit po rritet

Edhe nëse bota arrin qëllimin në dukje të pamundur për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius, shtresat e akullit të Grenlandës dhe Antarktidës do të vazhdojnë të shkrihen, gjë e cila do të shkaktojë rritje të nivelit të detit me disa metra dhe migrime masive nga zonat bregdetare, tregon një studim i ri.

Shkencëtarët analizuan të dhënat nga satelitët, modelet klimatike, bërthamat e akullit, sedimentet e detit të thellë dhe madje edhe ADN-ja e kallamarëve.

Ata erdhën në përfundim se niveli aktual i ngrohjes prej 1.2 gradë Celsius mund të shkaktojë tërheqjen e shpejtë të masave të akullit dhe rritjen e nivelit të detit, sipas punimit të botuar në revistën Communications Earth and Environment.

Shtresat e akullit të Grenlandës dhe Antarktidës përmbajnë mjaftueshëm akull për të rritur nivelin e detit me 65 metra, një skenar ekstrem, por shkencëtarët paralajmërojnë se duhet marrë parasysh për të kuptuar shkallën e rrezikut.

“Në 1.5 gradë, ju nuk e ngadalësoni ngritjen e nivelit të detit – në fakt, ju shihni një përshpejtim,” tha Chris Stokes pranë Universitetit Durham dhe një nga autorët e studimit.

Rreth 230 milionë njerëz sot jetojnë në një lartësi prej më pak se një metër mbi nivelin e detit. Edhe ndryshimet e vogla në vëllimin e akullit “ndryshojnë vijat bregdetare në mbarë botën”, duke shkaktuar zhvendosjen e qindra miliona njerëzve.

Shkencëtarët vlerësojnë se niveli i detit mund të rritet një centimetër në vit deri në fund të shekullit.

“Kjo do të nënkuptonte migrime masive të popullsisë në një shkallë të paprecedentë në historinë moderne,” tha Jonathan Bamber pranë Universitetit të Bristolit dhe bashkautor i studimit.

Shqetësues është fakti se pragjet e parashikuara të sigurisë për masat e akullit po ulen vazhdimisht ndërsa shkenca përparon. Ndërsa modelet e mëparshme parashikonin që, për shembull, Grenlanda mund të shembet në plus 3 gradë Celsius, sot vlerësohet se plus 1.5 gradë Celsius do të ishte e mjaftueshme.

Sipas autorëve, mënyra e vetme për të parandaluar kolapsin e shtresave të akullit është kufizimi i ngrohjes në afërsisht një gradë Celsius, gjë që do të kërkonte një reduktim drastik të emetimeve dhe një tranzicion të plotë nga karburantet fosile, diçka që duket shumë e pamundur duke pasur parasysh politikat aktuale globale.

“Kufizimi i ngrohjes në 1.5 gradë do të ishte një sukses i madh. Ne duhet të vazhdojmë të synojmë për këtë, por le të mos presim që të ndalojë rritjen e nivelit të detit,” përfundon Stokes.

Akullnajat janë sot kontribuuesi më i madh i vetëm në ngritjen e nivelit të detit dhe rritja vjetore e nivelit të detit është dyfishuar në tri dekadat e fundit.

Që nga vitet 1990, humbja e akullit është katërfishuar dhe aktualisht është në 370 miliardë tonë në vit.

Back to top button