Vendimi i ZRRE-së, “lë në duar të fatit mbi 60 mijë punëtorë”

ZRRE-ja ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për liberalizimin e tregut të energjisë. Sipas vendimit të ZRrE-së, nga 1 qershori, të gjitha bizneset e mëdha të cilat kanë 50 punëtor apo qarkullim vjetor deri në 10 milionë euro do të duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre për energji elektrike.
Në këtë situatë, pronari i një kompanie në Kosovë e cila merret me prodhim të metalit, Njazi Musliu, në emisionin Click të RTV21, bënë të ditur se ky vendim i ZRrE-së e lë para dy zgjidhjeve të pa dëshirueshme.
“Ne detyrohemi të vijmë te ajo formulë që e ka paraqitur Qeveria, të zbresim numrin e punëtorëve ose investimet tona t’i orientojmë jashtë Kosovës, në një shtet që e mbështetë biznesin, ejo si qeveria jonë për momentin është thuajse anti-biznes”, tha Musliu.
Në Kosovë aktualisht janë mbi 1000 kompani të regjistruara të cilat i prekë vendimi i ZRRE-së, për liberalizim të tregut energjetik. Në këtë situatë, drejtori i dhomës së tregtisë, Kushtrim Ahmetaj thotë se qeveria i ka lënë mbi 60 mijë punëtor në duar të fatit.
“ Vendimi është një goditje për biznesin për mundësinë e krijimit të vendeve të punës…….”, tha Ahmetaj për rtv21.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në një deklaratë të tij ka fajësuar Odën Ekonomike, për nxitje të protestave.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lulzim Beqiri, thotë se deklaratat e tilla lënë të kuptojnë se ka një marrëveshje në heshtje mes qeverisë dhe ZRrE-së.
“ Po janë 1% e biznesve totale, por këto 1% janë motori i ekonomisë në Kosovë nuk e kuptoj qeverinë kur Kosova po thyen rekord me import kaq të lartë, vjen edhe kjo goditje për bizneset. Ndërsa deklaratat e tilla lënë të kuptojnë se ka marrëveshje në heshtje mes qeverisë dhe ZRRE-së për një vendim të tillë”, theksoi Beqiri për rtv21.
Aktualisht, në treg janë të licencuara 21 kompani furnizuese me energji, ndërsa një është në proces licencimi. Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrial, është një prej tyre. Bizneset, të cilat kanë pranuar oferta nga KESCO, bënë të ditur se ajo i ka ofruar një çmim prej 264 eurosh për megavat në orë, trefishi i tarifës aktuale. /RTV21/21Media