Bislimi: E çuditshme se si LDK-ja po dëshiron që shteti të jetë pa institucione

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, i ka reaguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, për deklaratën e bërë pas takimit në Bruksel.
LDK-ja në komunikatë kishte thënë se Bislimi nuk ka legjitimitet për të marrë pjesë si kryenegociator në bisedimet me Serbinë dhe se “nuk gëzon asnjë mandat legjitim për ta përfaqësuar republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë”.
Lidhur me këtë Bislimi tha se mandati si zëvendëskryeministër në detyrë është legjitim dhe se nuk është emëruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurtiu si “kryenegociator”.
“Republika e Kosovës ka qeveri. Ajo nuk është “ish-qeveri”. Për institucionalistat e LDK-së, është e çuditshme se si ata duan që shteti të jetë pa institucione, se si shteti të mund të funksionojë pa qeveri. Unë nuk kam qenë dhe as nuk jam i emëruar nga kryeministri Kurti si “kryenegociator”. Përgjegjësia dhe titulli brenda qeverisë Kurti, është ai i zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog. Për sa kohë qeveria është në detyrë, si zëvendëskryeministër kam detyrimet e paracaktuara dhe përgjegjësinë e këtij roli, dhe i shërbej vendit pikërisht sipas mandatit dhe obligimeve që i detyrohem shtetit, qytetarëve dhe qeverisë, njëjtë si për integrim evropian, zhvillim ashtu edhe për dialog”, thuhet në reagimin e Bislimit.
Ai ka shtuar se nuk ka asnjë marrëveshje apo obligime të reja që rrjedhin nga Brukseli. Tha se janë ato ekzistuese që duhen zbatuar.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?