Vdekja e dyshimtë në Lipjan, me rastin po merret edhe Prokurori i Krimeve të Rënda

Një ngjarje të rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një person ka humbur jetën në rrethana të dyshimta pas një incidenti në rrugë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala për portalin rtv21.tv ka thënë se për rastin në fjalë është aktivizuar edhe Prokurori i Krimeve të Rënda.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet hetimore si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë, poashtu edhe Inspektoriati i Policisë së Kosovës janë në hetime të vazhdueshme. Me vendim të Prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtojmë integritetin e procedurës hetimore”, ka deklaruar Shala.

Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .

Sipas një postimi në rrjetin social Facebook bëhet e ditur se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.

“Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.  Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet në njoftim. /21Media

Back to top button