Osmani takohet me ambasadorin e Arabisë Saudite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi.
Sipas njoftimit të Presidencës thuhet se në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e tyre përmes ‘nxitjes së investimeve ekonomike në Kosovë, mbështetjes së mëtejshme ndërkombëtare për vendin tonë nga ana e Arabisë Saudite, si dhe rritjes së bashkëpunimit mes qytetarëve të të dyja vendeve’.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite, duke ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të kësaj miqësie”, thuhet në njoftim.
Tutje është bërë e ditur se, ambasadori Hifzi i ka dorëzuar Osmanit ftesën e Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Lartmadhërisë së Tij Princit Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, për të marrë pjesë në forumin “Future Investment Initiative” që do të mbahet në Riad.
“Presidentja falënderoi ambasadorin për ftesën dhe ritheksoi gatishmërinë për të vazhduar punën e përbashkët me Lartmadhërinë e Tij, me synim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”, theksohet në fund të njoftimit.