Reagime për suspendimin e katër policëve të njësisë speciale

Edhe një ditë pas raportimit për suspendimin e katër policëve të Njësisë Speciale për shkak të siç u tha shakasë me kryeparlamentarin Basha në një grup të brendshëm, Policia e Kosovës vazhdon të jetë e heshtur.

Në pyetjet e RTV21 nëse qëndrojnë raportimet e tilla dhe për arsyen e suspendimit të zyrtarëve policor, Policia deri më tani nuk ktheu ndonjë përgjigje.

Sami Hoti, Sedat Ramadani, Albert Kuqi dhe Artan Krasniqi janë policët për të cilët u raportua se u suspenduan.
Avokatja e policit Sami Hoti tha shkurtimisht për RTV21 se klienti i saj, polici Hoti është suspenduar nga detyrë për tri ditë por nuk dha detaje të tjera.

Por një ditë më parë në një postim në facebook ajo kishte thënë se “ky është rreshteri Sami Hoti, për një bisedë private mes miqsh, kuptohet bisedë me satirë, së bashku me tre policë të tjerë suspendohet vetëm e vetëm që në satirën e tyre lakohet emri i kryekuvendarit Dimal Basha”

Sindikata e Policisë së Kosovës ndërkaq tha për RTV21 se janë në dijeni të rastit dhe janë të bindur në pafajësinë e policëve të suspenduar.

“Sindikata e Policisë së Kosovës njofton se është informuar nga përfaqësuesi sindikal i zyrtarëve policorë lidhur me rastin në fjalë. Ne po e ndjekim nga afër procesin që është duke u zhvilluar ndaj katër zyrtarëve policorë, të cilët aktualisht janë të suspenduar nga detyra. Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh bindjen e saj të plotë në pafajësinë dhe profesionalizmin e këtyre zyrtarëve dhe beson se pas përfundimit të kësaj periudhe të suspendimit, ata do t’i kthehen detyrave të tyre”.

Inspektorati Policor ndërkaq bëri të ditur për RTV21 se suspendimi i policëve në fjalë u bë pa rekomandim të tyre.
Inspektorati Policor i Kosovës

“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim për këtë rast, ju lutem i referoheni me kërkesë Policisë së Kosovës për informacione shtesë”.

Një shaka në një grup të brendshëm mes shokëve nuk mund të jetë bazë për suspendim, thotë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha. Sipas tij, në rast se vërtetohet kjo arsye e suspendimit atëherë vihen në pah tendencat për politizimit të Policisë së Kosovës.

“Ka ngutje të Policisë së Kosovës. Ka një jotransparencë në këtë rast dhe m s buti thënë është shkelje e lirive dhe te drejtave të njeriut e mund të e jetë edhe shkelje ligjore nëse trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në mënyrë meritore po besoj qe Ipk do duhej te marrjen me këtë rast…nuk mund te jete bazë për suspendim një shaka ne një grup te brendshme jo publik me shokëve. Ne qofte se vërtetohet se ky suspendim është vetëm derivat i një shakaje te një grupi shokësh brenda atëherë ka tendenca te politizimit dhe të heshtjes s fjalës se lirë”, tha Hoxha për rtv21

Se në këtë rast ka pasur ndërhyrje politike e thotë edhe eksperti i Sigurisë, Drizan Shala. Sipas tij, institucioni i policisë nuk duhet të bie pre e ndikimeve të tilla.

“Të mos bien pre e ndikimit të jahstëm dhe të mos ndikohen në diktatin e bërë nga ndonjë fragment politik.”

Lidhur me rastin RTV21 ka kontaktuar edhe me vetë policët e suspenduar por të njëjtit nuk kanë dashur ta deklarohen për këtë çështje./RTV21/21Media

Back to top button