Çitaku pas deklaratës së DASH-it: Kurti po mundohet të manipulojë opinionin për një grusht vota

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit, përmes së cilës kanë konfirmuar qëndrimin e qartë të tyre mbi pozicionin rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik.
Çitaku ka akuzuar Kurtin se po përpiqet t’i mashtrojë publikisht qytetarët.
“’Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për t’u shmangur nga çështjet thelbësore të përfshira’ – thotë Departamenti i Shtetit.
Megjithatë, A.K i jep vetes të drejtë që, në përpjekjen e tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve të Kosovës, të mashtrojë publikisht për arsyet e pezullimit të dialogut me Serbinë.”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Sipas saj Kurti po mundohet të manipulojë opinionin publik “për një grusht votash, duke u mbështetur në një populizëm banal, e ndërkohë rrezikon skajshëm raportin e Kosovës me aleatin e saj më të rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
“Nga një ekskursion në SHBA, del e bën deklarata si analist mediokër dhe i papërgjegjshëm i politikës së jashtme amerikane, duke dëmtuar imazhin dhe interesin shtetëror të Kosovës.”, ka përfunduar ajo./21Media