Konjufca për dialogun: Të shohim në vitin 2027 se si do të zhvillohen gjërat

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca në një deklarim për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, kryediplomati kosovar shprehu skepticizëm se do të ketë lëvizje pozitive për zhvillimin e takimeve të reja në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, duke përmendur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
“Zonja Kallas dhe të gjitha shtetet u shprehen të gatshme të kontribuojnë në ndërtimin e këtij besimi, por Kosova është në cikël zgjedhor edhe Serbia nga fundi i vitit i ka zgjedhjet. Unë nuk pres shumë nga ky dimension së shpejti. Të shohim në vitin 2027 se si do të zhvillohen gjërat. Por nuk pres ndonjë iniciativë në këto muajt e këtij viti”, tha ai.
Po ashtu lidhur me dialogun ai fajësoi Serbinë.
“Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi unë theksova që problemi më i madh është goditja në mirëbesim që i është bërë dialogut nga ana e Serbisë”, tha ai.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila e kryesoi këtë takim, tha para tij se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë e kanë shtyrë fillimin e një rundi të ri të dialogut me Serbinë.
“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës – dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve – nga Kosova dhe nga Serbia – por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha ajo.
Por kryediplomatja europiane shtoi se po punon me “të dyja palët” për zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi.
“Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, shtoi ajo.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?