Projektet që synon Muharremaj për Suharekën: Pishinë olimpike, qendër të mjekësisë familjare, stacion autobusësh

Kandidati për kryetar të Suharekës nga radhët e AAK-së, njëherësh kryetar aktual i kësaj komune, në debatin zgjedhor në RTV21 prezantoi programin qeverisës me të cilin do të kandidojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ai tha se programi i tij është për qytetarët.
“Projekti i parë është pishina gjysmë-olimpike, ajo do t’i shërbejë nxënësve të shkollës së mesme që për herë të parë ta kryejnë notin si lëndë mësimore, pasi që të rinjtë kanë nevojë për një bazën gjysmë-olimpike. Kjo do t’u shërbejë gjithë qytetarëve, jo vetëm të rinjve”, tha ai.
Muharremaj si projekt të dytë premtoi ndërtimin e një qendre të mjekësisë familjare me shërbim dhe pajisje bashkëkohore.
“Kemi nevojë për stacion të autobusëve, ku ky stacion do të ketë mbi 200 parkingje pasi kemi nevojë për parkingje. Kjo do t’i lidhë komplet të gjitha fshatrat dhe ky stacion do të jetë edhe linjë që shkon Prizren–Suharekë–Prishtinë”, tha ai.
Kandidati i AAK-së synon të ndërtojë edhe një shkollë të re “7 Marsi”. Premtoi objekt të ri të zjarrfikësve, çerdhe për fëmijë, si dhe shërbimin e ndihmës së parë për të moshuarit./21Media