PDK mban mbledhjen e Kryesisë, Memli Krasniqi emërohet shef i shtabit zgjedhor

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur këtë të martë mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku janë diskutuar zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për Zgjedhjet e Përgjithshme të 7 qershorit.
Kryesia e kësaj partie ka vendosur unanimisht që ish-kryetari i partisë, Memli Krasniqi, ta udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas një njoftimi të kësaj partie, në mbledhje, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shprehur mirënjohje për deputetin Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos jetë pjesë e garës zgjedhore, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në parti dhe institucione.
Sipas PDK-së, Shala do të vazhdojë angazhimin e tij si pjesë e strukturave drejtuese dhe anëtar i Kryesisë së partisë.
Në kuadër të përgatitjeve zgjedhore, Kryesia ka diskutuar edhe për mobilizimin e strukturave partiake për regjistrimin e votuesve dhe përkrahësve të PDK-së në mërgatë.
PDK ka bërë të ditur se mbetet e hapur për personalitetet që dëshirojnë të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.
Sipas njoftimit, partia hyn në procesin zgjedhor “me vizion të qartë, ekip të përgatitur dhe besimin se do t’i japë Kosovës drejtimin që meriton”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?