Osmani: Nuk do të ngutesha në supozime që nuk bëhet Qeveria

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ishte e panevojshme nga ana e Listës Serbe që të dërgonte prapë kërkesë në Kushtetuese për pezullim të punës së Kuvendit.
Për krijimin e qeverisë, presidentja Osmani tha se ajo varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike, në të cilën tha se “nuk mund të ndërhyj”.
“Si totalisht të panevojshme, sepse e dini që ka pasur vonesa të jashtëzakonshme në krijimin e institucioneve dhe besoj që kjo është edhe një tentim tjetër për vonesa, të cilat, siç e dini, e kanë vonuar interesin e Kosovës. Janë bërë shumë muaj pa qeveri që do të kishte mandat të plotë kushtetues. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi që Kuvendi është konstituar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi qeveri me mandat të plotë. Krijimi i qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike, unë aty si presidente nuk mund të ndërhyj. Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”, deklaroi Osmani.
E pyetur se si do të veprohet, në rast se partia e parë nuk i ka votat për themelimin e Qeverisë, ajo tha se janë afatet e caktuara me Kushtetutë.
“Për atë çështje, nëse vjen deri në situatë të tillë, kur as partia e parë e as ajo që mund të ketë mundësinë e dytë nuk arrijnë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë, por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, ka disa aktgjykime me këtë temë. Por pastaj afati që jepet është 30-45 ditë. Këtë datë do ta vendosja në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimit me partitë politike. Unë nuk do të ngutesha që të jap supozime që do të dështojë në krijimin e qeverisë, ka edhe pak kohë”, tha presidentja.
Këtë deklaratë për gazetarët presidentja Osmani e ka bërë në kuadër të manifestimit tradicional me moton “Zbulimi i hershëm-mbijetesë” /21Media