Vuçiq thotë se njohja e Kosovës nga Siria ishte “e pritshme”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se lajmi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria ishte “i pritshëm”.
“Lajmi i pritur është njohja e Sirisë. Ishte e qartë se sa shumë nënkuptonte qasja libertariane e Assadit ndërsa ai ishte në pushtet, dhe është e qartë se kur vjen dikush që është nën ndikimin e madh të njërit prej vendeve kyçe në rajon, siç është Turqia, nuk është e çuditshme të vihet re se kjo ishte e pritshme”, tha Vuçiç, në një konferencë në Uzbekistan, raporton Danas, transmeton portali rtv21.tv
Vuçiq ndër të tjera tha se në Siri “marrin urdhër dhe veprojnë sipas urdhrit”, ku shtoi se Serbia do të ketë diçka “me të cilën t’i gëzojë”, për të cilën nuk sqaroi se për çfarë është fjala.
Të mërkurën shteti i Sirisë, ka njohur pavarësinë e Kosovës. Këtë lajm e ka bërë të ditur presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani ka falënderuar Presidentin sirian Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës dhe për mbështetjen e tij ndaj popullit kosovar.
Postimi i plotë:
Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.
Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.
Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë! /21Media