Konjufca propozohet për mandatar për kryeministër

(Lajm i përditësuar)
Konjufca: Kompromisin VV-ja e bëri, radhën e ka opozita
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e sotme e ka ka caktuar Glauk Konufcën për mandatar për kryeministër.
Ky i fundit gjatë fjalimit të tij të mbajtur ka folur për formimin e qeverisë, duke thënë se VV-ja me këtë gjë e ka bërë kompromisin e vet, kurse tani radhën e kanë partitë e tjera.
“Vetëvendosja po e bën kompromisin e vet, më shumë se kaq nuk ka mundësi. Nuk ka mundësi sepse, ne po e prezantojmë një qeveri në të cilën nuk është kryeministër Albin Kurti, e ky mendoj se është një kompromis shumë i madh për LVV-në. Por tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë edhe se nuk ka garanci se partitë mund ta zgjedhin presidentin ose presidenten me qëndrimet që kanë aktualisht.
“Ne kishim zgjedhje në shkurt të këtij viti, pastaj zgjedhjet lokale, e kemi tash balotazhin e nëse do t’i kem i edhe zgjedhjet në dhjetor, e konstituimi i Kuvendit nuk do të bëhet deri në shkurt, kush na garanton se në mars, me këto qëndrime të subjekteve politike që i kemi mund ta zgjedhim një presidente apo president në fillim të marsit, kjo do të na çonte në pesë palë zgjedhje brenda një viti”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai ka ftuar partitë e tjera për bashkëpunim.
“Kjo është e papërballueshme për republikën tonë. Megjithatë ne jemi të varur nga ajo se si veprojnë partitë e tjera parlamentare ua bëjmë ftesën më të mirë e më të sinqertë, dhe ua zgjatim dorën e bashkëpunimit”, ka thënë ai.
Kurti: Unë ministër i Jashtëm, Konjufca kryeministër
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas propozimit të Glauk Konjufcës si mandatar i dytë, tha se do t’i ndërrojnë vendet.
Duke iu referuar postit të zëvëndës kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, pozitë kjo në të cilën ishte propozuar Konjufca.
“Unë e marrë vendin e Glaukut e Glauku timin”, është shprehur ai.
Konjufca propozohet për mandatar për kryeministër
Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.
Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.
Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.
“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend.
Sipas tij, pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet.
A do të jetë ai mandatar i ri, Konjufca: Do ta mësoni kur të zbres poshtë
Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, një ditë para afatit të fundit për mandatarin e ri për kryeministër të vendit.
Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca nuk dha detaje derisa u pyet nga mediat nëse do të jetë ai mandatari i ri për kryeministër të vendit.
“Do ta mësoni kur të zbres poshtë”, tha shkurtimisht Konjufca.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës u konstituua me 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
LVV mblidhet për të vendosur për mandatarin
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje nga ora 12:00 do të mbajë mbledhje ku do të vendoset për madnatarin e Qeverisë.
Këtë për RTV21 e konfirmoi deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi.
“Do t’i përgjigjemi afateve dhe obligimeve që na përcakton Kushtetuta, por si do të reflektojë kjo pastaj nuk i dihet por do të jemi konstruktiv”, u shpreh ai ./21Media