Haxhiu: Aktakuza ndaj Hajdarit është e motivuar politikisht

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se hetimet ndaj ministres në detyrë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, “janë të ndikuara”, ndërsa aktakuza për rezervat shtetërore “e motivuar politikisht”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu tha se është e njoftuar me këtë rast në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik.
“Ministrja Hajdari as nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare. Për këtë rast jam e njoftuar në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik. Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ndër të tjera ka thënë se Hajdari ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore.
“Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj. Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në punën e bërë, e jo në ndikime apo qëllime politike”, ka shkruar Haxhiu, teksa ka shpërndarë postimin e Hajdarit, ku ajo njoftoi se i është ngritur aktakuza.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?