Kelmendi pas intervistimit: Deri më 2001 s’kam qenë në Reçak

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se i vjen mirë që iu dha mundësia të japë deklaratë lidhur me masakrën e Reçakut, ndërsa shtoi se në Reçak nuk ka qenë deri më 2001.

Në një konferencë për medie, ai tha se i vjen mirë që iu ka dhënë mundësia të dëshmojë si dëshmitar në Prokurori Speciale.

“Kurrë s’kam qenë gjyqtar”, shtoi Kelmendi.

Ai theksoi se falë kontributit të tij personal, një person është shpallur fajtor për masakrën e Reçakut dhe ky aktgjykim ka shërbyer edhe në gjykimin e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

“Isha punësuar bashkë me gjithë punëtorët tjerë shqiptarë, kishte përpjekje dhe kërkesë që dikush të shkatërronte popullin shqiptar dhe dihet se kush ishte. Edhe ne punëtorët që ishim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Isha bashkëpunëtor profesional dhe dihet çfarë roli ishte ajo pozitë dhe jo bashkëpunëtor me regjimin”, u shpreh Kelmendi.

Ai tha që s’ka veprim e aktivitet që nuk e ka përkrahur Sindikatën e Shqiptarëve ku ishte ai anëtar. Tha se ka qenë në ballë të saj.

“Për çdo gjë që i duhet UÇK-së dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, jam unë që i kam mbajtur jo vetëm të informuar, por kam rrezikuar edhe jetën për të marrë dosjet për t’i dërguar në media për të parë publiku se çfarë po ndodh atje, deri në Hagë”, deklaroi ai.

Kelmendi tha se për shkak të sigurisë, kishte vepruar me emrin Alban Lumi. Tha se këtë po e tregon për herë të parë publikisht.

Besim Kelmendi tha se ka edhe deklarata të nënshkruara nga punëtorët shqiptarë që dëshmonin se kush ishin punëtorët shqiptarë e kush serbë.

Ai përmendi se një gjyqtare kishte marrë pjesë në plaçkitjen e lokaleve të shqiptarëve dhe ka zhdukur provat e Reçakut.

“Këtu është nënshkrimi im me punëtorët tjerë shqiptarë, dhe është kjo deklaratë. Këtë e bën një njeri që ka dështuar të nënshtrojë Besim Kelmendin”, tha ai.

I njëjti theksoi se është një dokument lidhur me një gjykim më 2001, për të cilin kishe përpjekje që të dështojë. Tha se e kishte njoftuar se kryetarin e Gjykatës se gjykimi do të dështojë nëse ai nuk i mbron.

“Dhe sot është aktgjykimi që ky person dënohet dhe është dokumenti i parë. Edhe familjarët, edhe njerëzit që kanë qenë në Reçak mund të flasin për sjelljen dhe kontributin tim”, potencoi ai.

Ai tha se nuk e ka kaluar lehtë as gjatë luftës. Tha se nuk u kishte mbetur asgjë familje së tij, pasi ishte djegur gjithçka.

“Ka shumë dëshmi, shumë dosje, Besim Kelmendi që nga familja kur gjyshi im ka qenë i dënuar me 20 vjet burgim bashkë me vëllaun tim. Ku gjyshi im ka vdekur nga torturat, për axhin tim, i cili ka qenë përjetues i masakrës së Tivarit”, tha Kelmendi, duke shtuar se për deklaratën që po e bën familja e tij e di tani.

Kelmendi tha që bashkëshortja e tij është pjesë e familjes së dëshmorëve. Tha se Beteja e Senikut me 11 të vrarë, është betejë e familjes së bashkëshortes së tij.

Sipas tij, dikush brenda sistemit me çdo formë tenton të bëhet ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. /BetimipërDrejtësi

Back to top button