Zyrtari i LDK-së publikon ftesën: Vjosa Osmani në takim me mërgatën dy ditë para zgjedhjeve

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka publikuar një ftesë nga Presidenca e Kosovës. Aty mërgata ftohet për takim dy ditë para zgjedhjeve.
Postimi i plotë:
MASHA E ALBIN KURTIT …
Edhe pse ndërhyrjet edhe në këtë shtyllë tashmë janë evidente, megjithatë, pos gjyqësorit, Albin Kurti ka arritur të vërë nën kontroll të plotë shtyllat tjera të qeverisjes. Institucionet, që duhet t’i shërbejnë qytetarit dhe demokracisë, janë shndërruar në mashë në duart e tij. Ky centralizim i pushtetit përbën një rrezik serioz për shtetin dhe një hap të qartë drejt rrëshqitjes në autokraci.
Presidentja viziton të vetmin kryetar komune, një figurë tepër e përfolur për korrupsion, i cili gëzoi mbështetjen më të madhe nga Lideri Suprem, madje më shumë se vetë kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Arsyet e kësaj përkrahjeje mbeten zyrtarisht të paqarta, por politikisht janë më se të lexueshme.
Po ashtu, ftesa e Presidentes për një ndejë me Mërgatën, në dukje një gjest i bukur dhe fisnik, e humb çdo kuptim pozitiv kur organizohet vetëm dy ditë para zgjedhjeve. Një aktivitet i tillë mund dhe duhej të ishte mbajtur shumë më herët, ose pas datës 28 dhjetor. Qëllimi i vërtetë pas këtij organizimi është aq i dukshëm, sa e kuptojnë edhe “zogjtë e malit.”
Demokracia nuk mbrohet me heshtje, as me manipulim institucional. Ajo mbrohet me reagim qytetar dhe me votë. Shpresa ime është që gjithë ky manipulim të marrë fund më 28 dhjetor dhe qytetarët të flasin qartë në kutitë e votimit.
Lidhja Demokratike e Kosovës është alternativa!