Basha bën homazhe në nderim të ish-kryeparlamentarit Daci

Kryeparlamentari në detyrë Dimal Basha ka bërë homazhe në nderim të ish-shefit të Kuvendit, Nexhat Daci, i cili vdiq dje në moshën 81-vjeçare.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha ka thënë se Daci ishte figurë kyçe e periudhës paraprirëse të shtetndërtimit, me impakt të lartë për lidhjen e dijes me përgjegjësinë publike dhe urtësinë me demokracinë.

“Sot bëmë homazhe dhe u nënshkrova në Librin e Zisë për Kryetarin e parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nexhat Dacin. Akademiku Daci ishte figurë kyçe e periudhës paraprirëse të shtetndërtimit, me impakt të lartë për lidhjen e dijes me përgjegjësinë publike dhe urtësinë me demokracinë. Si akademik dhe si burrështetas, ai vendosi standarde të larta institucionale e njëkohësisht dha kontribut të çmueshëm për organizimin e strukturave arsimore paralele në momentet më të ndjeshme të Kosovës. Maturia e tij dhe vizioni politik pas çlirimit kontribuoi pazëvendësueshëm në ndërtimin e themeleve të demokracisë dhe tolerancës politike në vendin tonë, meritë kjo që Kryetarit Daci do t’i njihet në tërë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për akademikun Nexhat Daci dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Basha.
Back to top button